Me 4 vota pro dhe një kundër të kryetarit Klement Zguri, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi 6 kandidatët e parë të Bindjes Demokratike për garën e 30 qershorit.

Vërtetimet e Kuvendit se Bindja Demokratike mbështetet nga dy deputetët Lefter Koka dhe Andi Përmeti sollën kundërshtimin e fortë te juristit demokrat Ivi Kaso i cili kërkoi mosregjistrimin e kandidatëve me argumentin se ato nuk plotësojnë asnjë nga parashikimet e sanksionuara në nenin 68 të Kodit Zgjedhor.

“Duhet që subjekti të ekzistojë prej 6 muajsh. Ose duhet që subjekti të mbledhë firmat 1% të votuesve, ose të jetë i çertifikuar më parë në zgjedhje dhe të të zotërojë, ose një mandat deputeti 6 muajt e fundit, ose një mandat këshilltari”, tha Ivi Kaso.

Anëtarët e majtë sollën rastet e regjistrimit të FRD-së dhe LIBRA-s si kundër argument, se precedentët nuk kanë munguar as në të shkuarën për regjistrimin e partive me një deputet.

“Ne kemi regjistruar 3 parti, të cilat mbështeteshin nga kandidatë që nuk e kishin marrë mandatin Parlamentar, si përfaqësues të partisë që e kishte emëruar, por e kishin ndërruar në momentin e rrugës”, tha Bledar Skënderi.

“Nuk është ashtu, nuk është regjistruar LIBRA në 2017-ën me vërtetim, është regjistruar me firma”, tha Ivi Kaso.

Bindja Demokratike nuk kishte asnjë përfaqësues në mbledhjen e KQZ, ndaj përplasja edhe këtë herë u shënua mes të majtëve dhe të djathtëve për partinë e Astrit Patozit.

KANDIDATET E “BINDJES” TË REGJISTRUAR
Bashkia Tiranë Arben Skënderaj
Bashkia Vlorë Valbona Mezini, Partia
Bashkia Durrës Valbona Sakollari
Bashkia Kamëz Ylber Gjeta
Bashkia Lezhë Salvador Kaçaj
Bashkia Korçë Leonard Olli

Top Channel