Çdo diagnozë e pacientit apo dhe të gjitha medikamentet që përdoren për trajtimin mjekësor të tij tanimë do të kontrollohet nga një audit i posaçëm.

Vetëm para pak ditësh u miratua në Parlament ligji për kujdesin shëndetësor i cili për herë të parë parashikon ngritjen e një grupi profesionistësh, të cilët do të kontrollojnë të gjithë rrugëtimin mjekësor të pacientit.

Merita Xhafaj, drejtore e politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, shprehet: “Kjo parashikon që profesionistët në shëndetësi të kryejnë kontrolle dhe të kenë në kontroll që nga pjesa e diagnostikimit të pacientit deri te pjesa e trajtimit të tyre, duke synuar në rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor ndaj pacientit”.

Auditi klinik do të kontrollojë si në rastet kur pacienti merr shërbim në spital publik, por edhe në shërbimet private. Janë të shumta rastet kur spitalet jopublike, pasi i kanë trajtuar pacientët në ambientet e tyre me mjekë profesionistë ose jo, i kanë detyruar të paguajnë fatura të majme shërbimi, edhe pse mund ta kenë përkeqësuar gjendjen shëndetësore të pacientit për mungesë aftësie e më pas i dërgojnë në spitalet publike.

Po kështu, nuk mungojnë rastet që kur paraqitesh në një shërbim privat të kërkohet një mori analizash apo ekzaminimesh, një pjesë e të cilave të panevojshme, por ato kërkohen për të rritur faturat financiare që duhet të paguajë individi.

Ky grup profesionistësh do të kontrollojë që nga shërbimi që merr pacienti tek mjeku i familjes, mënyra e referimit të tij tek specialistët e deri në shërbimin terciar. Pritet që ligji për kujdesin shëndetësor të plotësohet me akte nënligjore, ku do të parashikohen dhe penalitetet përkatëse për çdo diagnozë të gabuar apo për çdo mjekim të panevojshëm jashtë protokollit mjekësor.

Top Channel