Serie A vërtet mund të ketë dhënë tashmë verdiktin e saj më të rëndësishëm, atë të kampionit të Italisë që si gjithmonë vitet e fundit i ka takuar Juventusit. Por, lufta për një vend në Champions League është bërë e jashtëzakonshme dhe drithërimat do të marrin fund vetëm pas vërshëllimës së fundit të të paktën tri takimeve të javës së fundit të futbollit italian.

Sigurisht që mund të ndodhë gjithçka, madje edhe ajo që 4 skuadra të përfundojnë në kuotë të barabartë pikësh, nga 66 secila.

Veç Juventusit dhe Napolit, që janë kualifikuar prej kohësh, në Europë vitin e ardhshëm do të marrin pjesë edhe Atalanta, Interi, Milani dhe Roma, por edhe Lazio si fituese e Kupës së Italisë, e cila do të shkojë drejtpërdrejt në fazën e grupeve të Europa League. E vetmja e përjashtuar në javën e parafundit ishte Torino, pas humbjes me Empolin.

Por, mes këtyre 4 skuadrave të fundit do të zhvillohet një betejë e vërtetë për të ndarë dy vende në Champions dhe dy të tjerat në Europa League, njëri prej të cilëve në kualifikueset e verës.

Në rast pikësh të barabarta, sipas rregullores klasifikimi bëhet sipas këtyre kritereve: pikët në përballjet e drejtpërdrejta, diferenca e golave në përballjet direkte, diferenca e përgjithshme e golave, numri më i madh i golave të shënuar në total, e në fund fare edhe shorti. Kjo vlen si në rastin kur barazia është mes dy skuadrave, ashtu dhe kur janë më shumë sesa dy të tilla.

Gasperini për momentin është në vendin e tretë, në të njëjtën kuotë me Interin, një më shumë sesa Milani dhe 3 më shumë sesa Roma. Kalendari gjithashtu është favorizues, pasi në javën e fundit, Atalanta e Berishës dhe Gjimshitit do të ndeshet në Bergamo me Sassuolon. Nëse fiton, skuadra bergamaske shkon matematikisht në Champions. Por, nëse barazon rrezikon të parakalohet nga dy skuadrat milaneze. Ndaj, zikaltrit nga Bergamo janë zotër të fatit të tyre.

I njëjti diskutim është edhe për zikaltrit e tjerë më të famshëm, ata të Spallettit. Një fitore në shtëpi kundër Empolit, që do të luajë për mbijetesë, dhe gjithçka rreth Championsit zyrtarizohet. Një barazim i mundshëm do të ishte ndëshkim i rëndë, pasi mund ta linte ekipin jashtë turneut më prestigjioz dhe më të pasur në parà.

Sa i përket Milanit, Gattuso ka dy rrugë për të hyrë në Champions vitin e ardhshëm. Njëra është të mposhtë Spalin në javën e fundit dhe të shpresojë që njëra mes Atalantës dhe Interit të mos fitojë. E dyta, të barazojë me Spalin dhe të lutet që Atalanta të humbasë dhe Interi të marrë një pikë. Në këtë rast Atalanta mbetet jashtë, pasi Milani ka avantazhin e përballjeve direkte me të. Në të kundërt, edhe vitin e ardhshëm do të luhet për Europa League.

Roma! Skuadra verdhekuqe ka një bilanc negativ në përballjet direkte, kësisoj ka vetëm një alternativë për të hyrë në Champions, vetëm nëse e mbyll me 66 pikë, po aq sa Atalanta dhe Interi. Në këtë rast, jashtë Championsit do të dilte skuadra e Spallettit. Por për të mbërritur deri këtu do të duhet që të gjithë pretendentët e tjerë të humbasin në javën e fundit, gjë që zor se mund të ndodhë në realitet.

Por çfarë ndodh nëse Atalanta, Interi e Milani përfundojnë me pikë të barabarta? Gattuso mbetet jashtë. Nëse ka barazim mes Interit, Milanit dhe Romës, kjo e fundit e drejtuar nga Ranieri mbetet jashtë. Nëse të gjithë përfundojnë me 66 pikë, në Champions shkojnë dy skuadrat milaneze dhe Roma me Atalantën dalin në Europa League.

Top Channel