Thirrja e Merkel për europianët: Bëjini rezistencë rrymave populiste që duan shkatërrimin e BE

19/05/2019 12:46

Kancelarja gjermane Angela Merkel reagoi pas skandalit që çoi në rrëzimin e qeverisë austriake, duke i drejtuar një apel të gjithë politikanëve europianë që t’i rezistojnë rrymave të cilat kërkojnë shkatërrimin e Europës.

“Këtu, përfshihen dhe politikanët që janë për shitje”, u shpreh gruaja e fortë e Europës.

“Po përballemi me rryma populiste të cilat në shumë zona, pavarësisht vlerave të tyre, po kërkojnë ta shkatërrojnë Europën dhe vlerat e saj, dhe ne duhet t’i bëjmë ballë me shumë vendosmëri kësaj situate’, tha ajo.

Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz vendosi ta prishë koalicionin me partinë populiste të djathtë FPÖ. Këtë vendim ai ia komunikoi presidentit të vendit Alexander Van der Bellen, i cili shpalli mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

E gjitha erdhi pas skandalit të liderit djathtist, Heinz-Christian Strache, partner në koalicionin qeveritar, i cili i kishte premtuar oligarkëve rusë favore nga paratë e taksapaguesve austriakë, nëse ata e ndihmonin në zgjedhje.

Një video e bërë publike dëshmoi se çfarë kishte ndodhur dhe Kurz tha se pas kësaj, koalicioni nuk mund të vazhdonte më të qeveriste vendin.

Të shtunën, me mijëra demonstrues në Austri përshëndetën rënien e qeverisë së kancelarit Sebastian Kurz për shkak të një skandali korrupsioni që përfshinte Rusinë.

Ata u shprehën të kënaqur me mbajtjen e zgjedhjeve të reja. “Kurzi duhet të largohet”, thërriste turma e mbledhur në lagjen historike të Vjenës.

Presidenti Van der Bellen foli pas publikimit të videos për një veprim të turpshëm dhe veprim të papërgjegjshëm të autoriteteve austriake. Ai tha se kjo nuk do të pranohet dhe se mirëbesimi duhet të kthehet tek qytetarët, e kjo mund të bëhet vetëm me zgjedhje të reja.

Ndërkohë krerët e partisë FPÖ duhet të japin shpjegime të hollësishme për akuzat ndaj tyre.

Top Channel