Kosovë/ Zgjedhjet, pa incidente. Fituesit e mundshëm thonë se do të japin dorëheqjen

19/05/2019 20:28

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë përfunduar në ora 19:00 pa ndonjë incident.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka në konferencën e mbajtur në ora 15:00 ka njoftuar se numri i votuesve ka qenë afër 19 mijë apo 32 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti ka treguar se procesi ka kaluar i qetë, derisa kishin angazhuar mbi 650 trupa policore për menaxhimin e procesit zgjedhor.

Votuesit nga komuniteti serb janë shprehur se duan që problemet të zgjidhen një herë e mirë: “Nuk e di çfarë t’ju them, ata e dinë vetë se çfarë të bëjnë, ama ne dëshirojmë që të kemi paqe, të shoqërohemi, mos të kemi probleme. Më mirë të bisedojmë 10 vjet se të luftojmë një ditë”.

Katër kryetarët e komunave veriore patën dhënë dorëheqje në nëntorin e vitit të kaluar si pasojë e vendosjes së masës mbrojtëse 100 për qind.

Ish- kryetari i Mitrovicës Veriore njëherësh kandidat për zgjedhje, Goran Rakiq ka thënë se pas publikimit të rezultateve do të konsultohet me presidentin serb, Alekdandër Vuçiç, duke mos e përjashtuar mundësinë e dorëheqjes: “Pas përfundimit të zgjedhjeve do të shohim si do të jenë rezultatet, ndërsa vendimet se si do të vazhdojmë do t’i marrim me Aleksandër Vuçiqin. Ne shpresuam në mirëkuptimin të zyrtarëve të Prishtinës e veçanërisht nga Bashkësia Ndërkombëtare në heqjen e taksës dhe shpresojë që pas këtyre zgjedhjeve taksa të hiqet”.

I pyetur nëse do të vijë shefi i të ashtuquajturës zyrë për Prishtinë në Serbi, Marko Gjuriq, Rakiq ka thënë se kanë qenë në pritje të tij por nuk i është lejuar hyrja në Kosovë.

Të angazhuar për mbikëqyrjen e zgjedhjeve janë 464 vëzhgues nga 2 subjekte politike, 12 ambasada, 2 misione ndërkombëtare, 4 organizata joqeveritare dhe 15 media.

Top Channel