Dy javë nga fundi i kampionatit të Kategorisë Superiore, vëmendja është përqëndruar më shumë në luftën për pjesëmarrje në kupat europiane dhe në betejën për mbijetesë, aty ku Tirana sërish nuk ka mundur të sigurojë matematikisht qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.

Këtë të shtunë, në “Selman Stërmasi”, bardheblutë e 1001 halleve nuk kanë shkuar më shumë sesa barazimi pa gola ndaj rivalit të drejtpërdrejtë për mbijetesën, Kastriotit të Krujës, pavarësisht një loje të mirë dhe me raste të shumta për gol.

Me 41 pikë në 34 javë, ndërkohë që Luftëtari arratiset në kuotën e 46 pikëve pas fitores në tavolinë 3-0 përballë Kamzës së përjashtuar me kohë nga Superiorja, Tirana gjendet ende dy pikë larg krutanëve të vendit të 9, që të zbret në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.

Sa u përket ndeshjeve të tjera, Teuta arriti të mposhtë 2-0 kampionët e saposhpallur të Superiores, Partizanin, për të mbetur në vendin e 3-të dhe të fundit që të çon në Europa League verën që vjen. Pa impenjimin e duhur dhe pa objektiva, që tashmë janë realizuar, “të kuqtë” e kryeqytetit duket se do t’i kenë vetëm shëtitje ndeshjet e mbetura të kampionatit.

Ndërkohë, Skënderbeu mposhti 3-0 Kukësin vendas dhe Flamurtari fitoi minimalisht 1-0 ndaj Laçit, me vlonjatët që mbeten në ndjekje të durrsakëve në luftën për Europën. Javën e ardhshme Tirana do të luajë në Laç, ndërsa Kastrioti do të presë Teutën. Flamurtari, nga ana tjetër do të marrë 3 pikë në tavolinë pas “pushimit” të detyruar si pasojë e përjashtimit të Kamzës.

Top Channel