Një histori frymëzuese mbylli takimin e sotëm të programit “Dua të të bëj të lumtur”. Kjo ishte historia e Dianës, e cila prej disa vitesh luftonte me kancerin. Për të rrëfyer sfidat dhe luftën e saj të vazhdueshme me kancerin, në studio kishte ardhur shoqja e saj Eglantina. Në moshën 26-vjeçare, Diana ishte diagnostikuar me kancer në gji, por këtë nuk e dinte askush përveç familjes së saj.

Diana kishte mbaruar shkollën e lartë për mësuese fizike dhe punonte si zëvëndesuese në gjimnazin “Çajupi”. Kolegët e saj të punës nuk e dinin që Diana po luftonte me kancerin dhe Eglantinës i kishte bërë përshtypje se përse ajo nuk ndiqte trajnimet. Pas një bisede të zhvilluar midis tyre, Eglantina kishte mësuar se Diana ndiqte kemioterapitë, e për këtë arsye mungonte shpesh në punë. Me kalimin e kohës, Diana ishte njohur me Enerin, me të cilin ishte martuar dhe kishte sjellë në jetë dy fëmijë.

Kur mendonte se gjithçka kishte kaluar dhe se e kishte lënë pas kancerin, Diana kishte mësuar se sëmundja ishte rishfaqur përsëri. Për këtë arsye, shoqja e saj e ngushtë Eglantina kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të realizuar ëndrrën e shoqes, që të vishej për herë të parë nuse. “Dua që të jetë një kujtim i bukur për ty, sepse dua të të tregoj sesa e veçantë je për mua. Dua që nata e sotme të jetë rifillimi i gjithçkaje siç duhej”, ishin fjalët e Eglantinës.

Surpriza që programi kishte menduar për Dianën ishte fustani i nusërisë, si dhe prania e dy këngëtarëve të dashur për publikun, Era Rusi dhe Ylli Baka, të cilët krijuan një atmosferë dasme.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel