“Kam ecur në këmbë për km të tërë”. I përlotur, Mc Kresha rrëfen momente nga lufta

18/05/2019 21:49

Një ndër reperët më të mirë të estradës shqiptare, Mc Kresha ishte i ftuar këtë mbrëmje në programin “Dua të të bëj të lumtur” për të surprizuar Gramozin, një prej të mbijetuarve të masakrës së Suharekës. Kresha ishte i pranishëm gjatë rrëfimit të historisë ku kanë mbetur të vrarë mbi 50 anëtarë të familjes Berisha.

I përlotur, artisti ndau me publikun një moment të vësshtirë, që kishte përjetuar Kresha dhe familja e tij gjatë luftës së Kosovës. Kur u pyet nga moderatorja Arbana Osmani, nëse e njihte këtë histori, ai pranoi se njihte shumë ngjarje të tilla.

Kresha rrëfeu se kur kishte qenë 13 vjeç, gjatë luftës ishte detyruar që të ecte në këmbë nga qyteti i Mitrovicës deri në Pejë, duke vazhduar udhëtimin për në Kukës. Gjatë këtij momenti, Kresha ishte ndarë nga familja, pasi kufiri ishte mbyllur. Familjarët e Kreshës ishin detyruar që të udhëtonin në këmbë për dy javë, mbi 300 kilometra gjatë territorit të Kosovës.

Gjithashtu, reperi shtoi se të njëjtin fat si familja Berisha e kishte pasur edhe vajza e xhaxhait të nënës së tij. “Kjo historia ime nuk është asgjë përballë historisë së Gramozit, ose atyre që ka kaluar vajza e xhaxhait të nënës sime, të cilët kanë pasur të njëjtin fat. 20 vite nuk është një gjeneratë e plotë, e këto janë plagë të cilat luajnë një rol pas luftës. Pasojat e luftës shfaqen dhe ndikojnë te një popull edhe pas dy dekadash”, tha ai.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel