Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është thirrur për 5 orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku i është marrë një deklaratë në lidhje me çështjen “Vol-vo 4”. Gjatë hetimeve të çështjes së bujshme, për të cilën janë arrestuar edhe dy ish-deputetë, dolën disa përgjime ku emri i kryebashkiakut Dako përmendej në afera për shitblerje votash.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha sjell detajet.

“Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako është thirrur dhe është pyetur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për llogari të dosjes 339. Atij i është dërguar ftesë nga dy prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Premçi gjatë ditës së enjte, kur edhe i është marrë një deklaratë përgjatë 5 orëve, nga ora 15 deri në orën 20 të asaj dite. Nuk jepen të dhëna se çfarë ka pohuar dhe mohuar kryebashkiaku Dako për shkak të sekretit hetimor. Ndërkohë që zyrtarë të prokurorisë, të kontaktuar nga Top Channel, nuk kanë dhënë asnjë detaj mbi seancën e pyetjeve dhe mbi ecurinë e kësaj çështjeje”, tha gazetarja Anila Hoxha.

  Vangjush Dako thirret te Krimet e Rënda për “dosjen 339”

Sot në gjykatë ka pasur një tjetër seancë për “Niçen”.

“Gjatë kësaj dite, Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në masën ‘arrest me burg’ të ashtuquajturin Niçja, thënë ndryshe Altin Avdyli, i cili për herë të pestë ka kërkuar lirinë, pasi sipas tij mungojnë provat. Por, gjyqtari i çështjes ka vlerësuar se ka prova e dyshime të arsyeshme, e për këtë arsye ai është dërguar sërish në paraburgim. Në total, për dosjen ‘Vol-vo 4’ janë të arrestuar 74 persona, mes të cilëve edhe dy ish-deputetë, si dhe mjaft persona të tjerë të cilët dalin nga përgjimet, por edhe pas veprimeve hetimore të një aksioni antidrogë të zhvilluar në Has, ku u sekustrua një sasi e konsiderueshme heroine”, shtoi më tej Anila Hoxha.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja e Top Channel, prokuroria ka zgjeruar fokusin e sekuestrove dhe rrethin e të dyshuarve.

“Nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjeruar edhe fokusin e sekuestrove, duke kërkuar në total sekuestrimin e 300 mijë metrave katrorë truall, ndërkohë që është zgjeruar edhe rrethi i personave të dyshuar, mes të cilëve ka gjithashtu edhe zyrtarë lokalë nga Lezha dhe qyteti i Durrësit”, deklaroi Anila Hoxha.

Top Channel