Gjatë intervistës së dhënë në studiot e emisionit Top Talk, kreu i Federatës së Basketbollit, Avni Ponari tha se sot sporti operon në të zezë. Sipas tij, “Ligji i Sponsorizimit” do të bëjë edhe formalizmin e sportit.

“’Ligji i Sponsorizimit’ do të bëjë edhe formalizmin e sportit. Sot sporti është në të zezë, sepse paguhet me para në dorë. Sporti nuk paguan taksa. Janë të paregjistruar, të pasiguruar. Thonë që futbollistët sot marrin nga 10 mijë euro, por sa paguajnë në shtet?! Pagat më e lartë për një basketbollist mund të shkojë në 1 mijë euro, por paguhet në te zezë. Është një kaos i parregulluar, ku ‘Ligji për sponsorizimet’ bën edhe këtë formalizim sepse kompanitë të cilat kanë të ardhura dhe një tatim mbi fitim dhe shteti ua njeh ato të zdritshme nga tatimi bazë, atëherë këto do t’i paguajnë këto tek një kompani, tek një shoqatë sportive që ka NIPT, ka një program njëlloj si bizneset e tjera, e cila do të regjistrojë pagat, do të justifikojë paratë që mori nga sporti.

Është një subjekt që kontrollohet nga zyra e tatimeve dhe administrohet. Në këtë mënyrë nga njëra anë mbështeten financiarisht dhe nga ana tjetër formalizohen të gjitha këto shoqata dhe nesër do të dimë sa sportistë kemi dhe sa paguhen. Këto para do t’i kthehen sërish shtetit në formën e taksave.

Së dyti është rritja e cilësisë sportive dhe ekipeve sportive reale. Do ketë ekipe profesioniste. Tani de jure jemi profesionist, de facto jemi gjysmë profesionist ose as gjysmë. Nuk kemi një strukturë të mirëfillte.

Së treti kemi promovimin e biznesit dhe gara do të jetë e madhe. Bizneset do të jenë të interesuar sepse vetë ky program e bën të domosdoshëm pjesëmarrjen e biznesit në sport”, argumentoi Ponari.

Në fund të emisionit, kreu i Federatës së Basketbollit i bëri thirrje kryeministrit Rama që të votojë “Ligjin e Sponsorizimit”.

“Ai duhet ta mbajë fjalën se na e ka dhënë se do të kalojë ‘Ligjin për Sponsorizimet’. Ta bëjë këtë sepse është në interes të sportit dhe nëse e bën do lejë gjurmë dhe do i japë impakt sportit në Shqipëri! Ata që merren me sport dhe biznes, e dinë se sa i rëndësishëm është ky ligj”, përfundoi ai.

Top Channel