Lamtumira e dëshmorit, ceremoni në nder të major Klodian Tanushit

16/05/2019 20:58

Këtë të enjte, të shpallur ditë zie kombëtare, me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake i është dhënë lamtumira e fundit majorit Klodian Tanushi, dëshmorit më të ri të atdheut.

Mes dhimbjes, familjarë, miq, kolegë e figurat më të larta të shtetit e ushtrisë, i dhanë lamtumirën dëshmorit të rënë në Letoni, i cili la pas 3 fëmijë.

“Në një libër të shenjtë, një vetëflijim i tillë, për të shpëtuar jetët që do të vijnë quhet vetëflijim për miqtë e panjohur. Ky është edhe thelbi i të gjitha misioneve paqeruajtëse dhe jetëshpëtuese të FA, si pjesë e NATO-s”, tha kryeministri Rama.

“Është e vështirë që këtë dhimbje ta përshkruash me fjalë, por nuk është e vështirë të gjesh fjalët për të shprehur përkushtimin, forcën, seriozitetin, profesionalizmin, trimërinë dhe shpirtin e sakrificës së ushtarakut model, major Klodian Tanushit, pasi jeta dhe vepra e tij flasin vet”, tha Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes.

“Ti Klodian i paharruar do të mbetesh frymëzimi, krenaria dhe nderi i Forcës së Armatosur, nderi i këtij vendi. Shqipëria dëgjon, shënon dhe nuk harron! Vepra e dëshmorëve është amaneti ynë”, tha Bardhyl Kollçaku, Gjeneral Brigade.

I mbuluar nga flamuri kombëtar, arkëmorti i majorit u nis për në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Atje, familjes së majorit Klodian Tanushi iu dorëzua edhe dekorata e shpalljes “Dëshmor i Atdheut”. Ndryshe nga herët e tjera, sot majori nuk iu përgjigj apelit.

Top Channel