Në Korçë, një biznesi që kishte më shumë se një muaj që ishte çregjistruar pranë QKB-së dhe nuk kishte asnjë detyrim për të paguar në shtet, i vjen një shkresë për rikontroll tatimor.

Përgjegjësi i ngarkuar për kontrollin i thotë subjektit që nuk e njeh fare QKB-në. Në shkelje të hapur me ligjin, Drejtoria e Tatimeve Korçë këmbëngul që kontrolli do bëhet, e do vendoset gjobë se urdhri ka ardhur nga drejtoria e përgjithshme. Duke rënë në kundërshtim edhe me ato që thotë edhe punonjësi i inspektimit që i thotë subjektit se ligjërisht nuk kanë asnjë lloj detyrimi, dhe se ky duhet të jetë një problem sistemi.

Babai i djalit që kish biznesin tregon se i biri, pasi priti edhe një muaj nga marrja e kontratës së çregjistrimit u largua jashtë vendit për të punuar. Ai tregon se kjo pritje prej 30 ditësh ishte për efekt se mos vinte kontroll për mbylljen e biznesit. Por pasi kishin kaluar më shumë së një muaj në emër të djalit vjen një zarf ku thuhet se do bëhej një rikontroll për një audit të bërë në 2017, dhe për periudhën 2014-2016. Ai pretendon se po shkelet ligji dhe se në asnjë mënyrë ky rikontroll nuk mund të ushtrohet pasi detyrimet e tyre ndaj shtetit janë zero dhe ka kaluar më shumë se një muaj nga mbyllja e subjektit dhe kjo që po kërkojnë të bëjnë tatimet Korçë është e paligjshme.

Inspektori i ngarkuar për kontrollin Aldo Hoxha në një telefonatë më të zotin e subjektit i thotë që nuk do ta dijë për QKB, dhe se nuk e njeh fare se kush është Qendra Kombëtare e Regjistrimit. Ai ka urdhër për të vazhduar me kontrollin dhe do vendosë edhe gjobë nëse do të refuzohet nga ana e subjektit të ushtrohet ky kontroll.

Fiksi kontaktoi edhe me përgjegjës së zyrës së tatimeve Korçë. Njëri përgjegjës i thotë që kontrolli do kryhet me patjetër, kurse tjetri i thotë që është i paligjshëm. Përgjegjësi i kontrollit thotë se ky kontroll do bëhet dhe se ai nuk ka dijeni se biznesi është çregjistruar. Ndërsa inspektori i tatimeve po në të njëjtin institucion i thotë subjekti nuk ka asnjë detyrim ligjor. Sipas tij fajin e ka sistemi që e nxjerr akoma subjekt në kërkesë për çregjistrim.

Po pavarësisht këtyre qëndrimeve, pak ditë më vonë subjektit i shkon një tjetër shkresë, ku i komunikohet se ka një detyrim të vitit 2017 dhe tre të vitit 2019 pa paguar. Një absurditet që vazhdon pasi në vitin 2019 ky subjekt nuk ka operuar. Kërkesa për çregjistrimin e subjektit është bërë që në fillim të Dhjetori 2018. Kjo shkresë e vonuar e tatimeve, sipas ligjit duhet të ishte nisur pranë QKB-së që na muajin e parë të kërkesës për çregjistrim, jo 5 muaj më vonë, kur çregjistrimi ish kryer dhe në sistem nuk figuronte asnjë detyrim.

Top Channel