Nathan Redmond

Kombëtarja angleze e futbollit publikoi listën e lojtarëve për grumbullimin më të rëndësishëm të vitit, atë që do t’i paraprijë ndeshjeve të fazës finale në Ligën e Kombeve, ku vendoset pjesërisht edhe fati i kualifikimit. Ka mjaft surpriza në emrat e përzgjedhur nga trajneri Gareth Southgate.

Nathan Redmond do të jetë në listën provizore dhe atë finale për “UEFA Nations League”, pas sezonit fantastik me Southampton. Anësori, që ka luajtur vetëm një ndeshje më parë me fanellën e përfaqësueses, ka bindur stafin teknik për një impenjim kaq të rëndësishëm.

Janë gjithashtu pjesë e listës së Anglisë edhe dy lojtarët e Tottenhamit, Kane dhe Winks, që si për ironi të fatit janë aktualisht të dëmtuar, por pritet të rikuperohen në pak ditë. Nuk ka vend në fazën finale të Ligës së Kombeve për Loftus-Cheek, që ka dëmtuar gjurin, ndërsa është lënë jashtë edhe Luke Shaw.

“Do të kem dilema për formacionin deri në minutën e fundit, por di që kam një skuadër të fortë dhe me talent për këto ndeshje. Kane është një nga të panjohurat për ne, por po presim nëse do të luajë dot në finalen e Championsit”, tha Gareth Southgate, trajner i Anglisë.

Anglia luan ndaj Holandës në gjysmëfinalet e “Nations League” në stadiumin e Guimaraes, në Portugali, më 6 qershor. Më pas do të luajë ndaj Zvicrës ose Portugalisë, në finale ose në “play off” më 9 qershor, në varësi të rezultatit.

Lista paraprake e Anglisë:

Portierë: Jack Butland, Tom Heaton, Jordan Pickford.

Mbrojtës: Trent Alexander-Arnold, Ben Chilwell, Joe Gomez, Michael Keane, Harry Maguire, Danny Rose, John Stones, Kieran Trippier, Kyle Walker.

Mesfushorë: Ross Barkley, Dele Alli, Fabian Delph, Eric Dier, Jordan Henderson, Declan Rice, James Ward-Prowse, Harry Winks.

Sulmues: Harry Kane, Jesse Lingard, Marcus Rashford, Nathan Redmond, Jadon Sancho, Raheem Sterling, Callum Wilson.

Top Channel