Aksidentet, më shumë viktima; Policia: Shkak, shpejtësia, alkooli dhe kalimtarët e pakujdesshëm

16/05/2019 15:20
FOTO ILUSTURUESE

Aksidentet me pasoja tragjike kanë një tendencë në rënie gjatë vitit 2019. Të dhënat në katër muajt e parë flasin për 36 aksidente më pak. Ulje ka pasur edhe në numrin e të plagosurve, por numri i personave që humbën jetën është më i lartë. Nga 61 në 2018 në 62 në 2019.

Për drejtorin e Drejtorisë së Policisë rrugore, Mithat Tola, kalimtarët e pakujdesshëm përbëjnë një numër në rritje të aksidenteve.

“Vazhdon të mbetet problematikë përfshirja e këmbësorëve dhe sjellja e tyre e pakujdessshme në rrugë që ka qenë katërmujorin e parë në 20% të rasteve, kemi përfshirje të këmbësorësh dhe kalim të pakujdesshëm të këmbësorëve në rrugë. Është një përqindje e rritur e lartë”, tha Mithat Tola.

Për Tolën, ka një sërë faktorësh që ndikojnë në aksidentet rrugore dhe kryesisht nëse drejtuesit e mjeteve janë nën efektin e alkoolit.

“Tejkalimi I shpejtësisë, parakalimet e gabuara të drejtuesve të mjeteve, mosrespektimi i përparësisë, mosrespektimi I distancës së sigurisë në udhëtim, I kombinuar me përdorimin e pijes alkoolike”, u shpreh Mithat Tola.

Top Channel pyeti edhe qytetarët të cilët kaluan disa akse me semafor të kuq.

“S’pati makina dhe kalova. Fajin e kanë semaforët. Nuk kam frikë, shprehen disa prej tyre.

Bashkia e Tiranës, së fundmi ka pajisur disa akse kryesore të qytetit me barrier mbrojtëse. Një nismë kjo e kërkuar nga Policia e Shtetit, por që pritet të implementohet edhe në bashki të tjera, me qëllim sigurimin e jetës së kalimtarëve.

Top Channel