Masat për sezonin turistik në Gjirokastër duket se nuk janë në nivelin e kërkesës të tregut turistik. Njësitë vendore në të gjithë qarkun kanë mangësi serioze në ndriçimin e rrugëve publike, sinjalistikën e shtigjeve, shërbimet të pamjaftueshme dhe mbi të gjitha probleme me ndotjen plastike.

Operatore të turizmit dhe autoritete vendore kanë diskutuar në një takim të zgjeruar problemet më emergjente. Prefekti i qarkut Astrit Aliaj i është referuar ankesave të turistëve rreth orientimit në qytete dhe zona rurale.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Maksim Hoxha foli për konkurencën e pandershme në tregun turistik, informalitetin dhe për pasojë mungesën e përgjegjësive për cilësinë. Vetëm këtë vit sipas tij janë regjistruar në Booking.com më shumë se 100 bujtina të reja.

Vetë operatorët turistikë kanë kërkuar mbështetje për evidentimin e monumenteve dhe shërbime pastrimi në zonat rurale me potencial te madh turistik ku ndotja është në përmasa alarmante.

Sipas statistikave nga Agjensia e Zonave të Mbrojtura vitin e kaluar hapësira rurale e qarkut është vizituar nga më shumë se 34 mijë vizitorë të huaj, shumica prej të cilëve në ujërat termale të Bënjës dhe parkun e Bredhit të Hotovës.

njësitë e hotelerisë thonë se ka një rritje të lehtë të prenotimeve krahasuar me një vit më parë ndërsa vihet re edhe një shtim i njësive që ofrojnë suvenire dhe ushqime tradicionale.

Top Channel