Dhjetë vende, përfshirë Serbinë dhe Slloveninë, u kualifikuan për natën finale të Festivalit europian të Këngës, “Eurovision”.

Në gjysmëfinalen e parë të festivalit morën pjesë 17 shtete, por më tej nuk arritën të avancojnë veçse një pjesë e tyre. U kualifikuan Australia, Islanda, Qipro, Greqia, Bjellorusia, Serbia, Estonia, Republika Çeke, Republika e San Marinos dhe Sllovenia.

Gjysmëfinalja e dytë, ku merr pjesë edhe Shqipëria e përfaqësuar nga Jonida Maliqi me këngën “Ktheju Tokës”, do të zhvillohet më 16 maj.

Nga kjo fazë, edhe 10 vende të tjera do të kalojnë në finalen e festivalit, e cila do të zhvillohet pas kësaj më 18 maj në Tel Aviv të Izraelit.

Telespektatorët dhe juritë profesioniste në të 41 vendet pjesëmarrëse do të jetë ata që do të përcaktojnë këngën fituese. Asnjë vend nuk mund të votojë për garuesit e vet.

“Eurovision”-i u mbajt për herë të parë në vitin 1956 me qëllim bashkimin e popujve të Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa sot, ai shënon një audiencë të kombinuar botërore prej rreth 200 milionë njerëzish.

Në këtë festival kanë nisur karrierën edhe grupe muzikore e këngëtarë me famë botërore, siç është grupi ABBA, apo edhe këngëtarja Celine Dion, që ra në sy në edicionin e vitit 1988 kur përfaqësoi Zvicrën.

Top Channel