Top Story arriti të futet në një laborator të kultivimit të marijuanës që menaxhohet nga shtetas holandezë me origjinë marokene dhe kanë të punësuar edhe shqiptarë.

Në këtë shtëpi që shihni janë kryer rreth 40 mijë euro investim fillestar, për kultivimin, rritjen dhe më pas korrjen kanabisit.

Janë dy dhoma brenda një shtëpie private dykatëshe në afërsi të Roterdamit, dhe drejtohej nga një maroken që jetonte prej vitesh në Holandë.

Sipas pamjeve ekskluzive, në këto dy dhoma ishte një investim i mirëmenduar deri në detaje. Fillimisht ishte izoluar me alumin për të ruajtur ngrohtësinë nga ndriçimi artificial. Llambat sëbashku me freskueset, bënin që një rrënjë hashashit të ishte gati për 3 muaj. Më pas, nis korrja dhe tregtimi në Hollandë dhe Europë.

Shtëpi të tilla ka me shumicë në qytetin drogës, por siç ju treguam nuk janë vetëm shqiptarët zotërues të saj.

Por ajo që përbën më shumë problem për autoritetet holandeze janë sasitë e mëdha të lëndëve narkotike, veçanërisht drogërave të forta si kokaina. Dhjetëra ton kokainë kapen çdo vit në 2 portet kryesore të vendit, Rorterdam dhe Antverp, ku fluksi i mallrave që hyjnë e dalin është marramendës.

Vetëm në portin e Roterdamit kontrollohen 35 mijë mjete lundruese në vit, 500 kontenierë në orë, 12 ton ngarkesë për sekondë.

Sasia më e madhe e drogës vjen nga Amerika e Jugut, kryesisht Kolumbia. Grupet e trafikut të drogës preferojnë kryesisht ngarkesat me banane, që është dhe produkti kryesor i eksportit për Kolumbinë. Bashkë me bananen, importohen nga Kolumbia edhe dhjetëra ton kokainë.

Top Channel