Shqiptarët vazhdojnë t’i mbajnë paratë “nën dyshek”. Sipas një raporti të fundit të Bankës së Shqipërisë, në lidhje me mënyrat se si shqiptarët mbajnë paratë, rezulton se 15% e tyre nuk zgjedhin bankat për të vendosur kursimet e tyre.

Nga kategoria e personave që i mbajnë paratë jashtë sistemit, 13% i ruajnë kursimet jashtë bankave në ambientet ku banojnë dhe 2% e tyre i kanë dhënë hua duke investuar në formën e fajdeve. Në anketim morën pjesë 1200 familje. 39% e tyre nuk kishin asnjë lloj kursimi ndërsa 40% kanë llogari bankare. Pjesa tjetër i kanë investuar në fondet e pensionit, kompanitë e sigurimit, bonot e thesarit ose i mbajnë në shtëpi.

Por, ndërkohe në një tjetër vrojtim mbi pasurinë e familjeve shqiptare, Banka e Shqipërisë gjeti se, 95% e tyre kanë 1-2 prona, por rreth 43% e tyre deklarojnë se nuk zotërojnë asnjë lloj kursimi apo pasurie financiare. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka më pak besim tek bankat. Kujtojmë këtu se pjesa më e madhe e banorëve të rajonit, rreth 70% e tyre i depozitojnë paratë nëpër banka.

Top Channel