Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka reaguar sërish në lidhje me atë që e konsiderojnë si veprim të Qeverisë së Kosovës për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta.

Edhe pse nuk jep emra, selia diplomatike amerikane në Kosovë, në deklaratën e shpërndarë për mediet përfshin edhe individët e dënuar për krime lufte, individë nën aktakuzë për krime të rënda, apo të dyshuar për shpërdorim të detyrës.

“Në demokraci, individët e emëruar në pozita të nivelit të lartë duhet të rrezatojnë fytyrë etike dhe të kualifikuar para botës. Fatkeqësisht, shembulli i Kosovës sa i përket emërimeve paraqet të kundërtën. Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurtë se nuk do të dënohen, dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë.

Sipas amerikanëve, “nominimi i këtyre individëve të pakualifikuar minon besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë, e privon vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe më se të kualifikuar për të kryer punën në qeveri dhe i çnderon viktimat e krimeve të kaluara të këtyre individëve. Po ashtu, kjo gjë pengon përparimin e Kosovës drejt ndërtimit të namit në rrafshin ndërkombëtar, që do ta bënte atë partnere të dëshirueshme për vendet e tjera dhe forcon pozicionin e kundërshtarëve që do të pohonin se Kosova nuk është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit”, vijohet më tej në deklaratë.

Vetëm pak ditë më parë, medie të Kosovës raportuan se Sylejman Selimi ishte emëruar ambasador i Kosovës në Republikën e Shqipërisë, edhe pse kjo gjë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga qeveria. Zgjedhjen e Sylejman Selimit si ambasador e kundërshtoi edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philipp Kosnett, përmes “Twitter”-it.

“Çfarë mesazhi dërgon Kosova në botë kur propozon një të dënuar për krime lufte si Ambasador? A tregon kjo respektim të respektimit të ligjit? Ne kundërshtojmë fuqishëm një vendim të tillë. Presim e shohim”, ka thënë ambasadori Kosnett.

Deklarata e sotme përfundonte me një thirrje ndaj udhëheqësve të Kosovës.

“I nxisim qytetarët e Kosovës, si dhe udhëheqësit e saj për të reflektuar se çfarë fytyre duan që Kosova t’ia tregojë botës. Iu bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës për ta marrë këtë çështje seriozisht dhe të ndalen e ta prapësojnë këtë prirje të emërimit të individëve, disa prej të cilëve ambasada tashmë i ka cekur me emër, përzgjedhja e të cilëve duket se çon përpara qëllimet afatshkurta politike e jo nevojat legjitime të qytetarëve të Kosovës ose kredibilitetin e shtetit”.

Top Channel