Protesta e pestë kombëtare e opozitës së bashkuar nisi rreth orës 18:30 të së hënës, për të dënuar atë që e cilëson dhunë gjatë protestës së të shtunës. Me çadrat “Rama ik” dhe nën shiun që nuk pushonte, ndalesa e parë ishte Kryeministria.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në fjalën e tij tha se nuk ka asnjë hap pas.

“Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë te vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërinë. E panegociushme ikja e Ramës, qeveria tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme”, tha Basha.

Stacioni i dytë i këtij marshimi ishte Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, godina e së cilës u godit nga protestuesit me fishekzjarre, shashka dhe flakadanë, ku për pasojë u thyen edhe xhamat.

Ndërkohë, Policia e Shteti njoftoi se një efektiv i saj ishte lënduar dhe ishte dërguar në spital.

Ndalesa e radhës për protestuesit, të drejtuar nga kreu i Partisë Demokratike, ishte Parlamenti. Kordoni i policisë, as këtë herë nuk i shpëtoi goditjes nga protestuesit me mjete piroteknike.

  Marshimi-protestë në foto

Më pas marshimi i protestuesve vijoi para godinës së Ministrisë së Brendshme, ku shashkat dhe flakadanët ishin më të pakta.

Institucioni i katërt ishte Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku edhe tensioni ishte më i madh. Atje, protestuesit hodhën gurë, flakadanë dhe molotov, duke thyer xhamat e godinës.

Më pas Basha i drejtoi protestuesit drejt selisë së PD-së, nga ku bëri edhe mbylljen e marshimit.

“Fitorja më e madhe që nuk e ka parë as Europa”, tha Basha.

Në fund u këndua himni, por nuk u njoftua se kur do të jetë protesta e radhës.

Edi Rama reagoi në Tëitter për protestën e së hënës. “Marshimet për të rrëzuar qeverinë me kapsolla janë xhiro bosh që nuk nxjerrin askund. Përsëri respekt për Policinë e Shtetit në taksiratin që e ka zënë dhe një mesazh për Lulzim Bashen: Lëri kapsollat! Autobusin e këtij qershori e humbe, por mos humb trenin e qershorit 2021! Kur do të flasim?”, shkruan Rama.

Top Channel