Një 37-vjeçar me inicialet E.M, është arrestuar si anëtar i grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotike, duke çuar në 13 numrin e të arrestuarve gjatë operacionit antidrogë të koduar “BISTRICA 2019”.

Dy ditë më parë Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, finalizoi operacionin antidrogë të koduar “BISTRICA 2019”.

Në operacion u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Fier.

Pas një hetimi pro-aktiv, përgjatë një harku kohor disa mujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit gjatë operacionit policor të koduar “BISTRICA 2019”, u arrestuan dhe u ndaluan 11 persona si dhe u sekuestruan 79 kg Cannabis Sativa, e fshehur në një automjet në vende të krijuara posaçërisht.

Po gjatë operacionit, në kontrollet e ushtruara u sekuestruan edhe tre armë zjarri u vu në pranga një 52 vjeçar nga Mallakastra.

Më herët në datë 05.04.2019, në funksion të këtij procedimi penal në Kapshticë, u arrestua edhe një pjesëtar tjetër i këtij grupi kriminal, ku u sekuestrua rreth 68 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Gjithsej në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 145.6 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa; 3 armë zjarri dhe municion luftarak, 4 automjete të markave të ndryshme; një sasi vlerash monetare, 14 aparate celularë me kartat Sim të markave të ndryshme.

Nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky grup kriminal.

Top Channel