Nisma rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë në vitin 2010, njohur ndryshe si Procesi i Brdo-Brijunit, do të zhvendoset më 8-9 maj në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ku organizator do të jetë pikërisht Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Në samitin e Tiranës, siç kujdeset të njoftojë Presidenca, do të marrin pjesë 3 anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Sefik Dzaferoviç dhe Zeljko Komsiç; presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi; presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanoviç; ai i Maqedonisë në ikje Gjorge Ivanov; si dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, që të gjithë të ftuar nga Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe Borut Pahor, krerët aktualë respektivë të Kroacisë dhe Sllovenisë.

Në punimet e samitit të Tiranës do të jenë të ftuar nderi edhe presidenti polak, Andrzej Duda, si dhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, njëherazi zv.presidente e Komisionit Europian në largim, Federica Mogherini.

Aspirata e përbashkët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në Bashkimin Europian do të jetë në fokusin e mesazheve politike në samitin e Tiranës, që përkon edhe me “Ditën e Europës”. Në mbyllje të samitit, pritet që udhëheqësit e procesit të miratojnë një dokument me konkluzione.

Top Channel