Gjykata liron Ervis Martinajn, i arrestuar për ngjarjen në ish-Bllok. La garanci pasurore 5 milionë lekë

03/05/2019 17:29

Ervis Martinaj, i vetmi që qëndronte në burg pas vrasjes që ndodhi në 4 tetorin e vitit të shkuar në zonën e ish-Bllokut dhe tronditi Tiranën, u la i lirë.

Vendimi për lirinë e tij u dha nga Gjykata e Tiranës. Martinaj e la burgun në këmbim të një garancie pasurore prej 50 milionë lekësh të vjetra. Gjyqtari që dha vendimin, Artan Gjermeni, e ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “liri në këmbim të garancisë pasurore” pas kërkesës së bërë nga mbrojtësit e Martinajt.

Por, pas këtij vendimi, i menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorisë, e cila kërkoi që Martinaj të vazhdonte të qëndronte në burg. Prokurorët e çështjes deklaruan se këtë vendim do ta apelojnë që të hënën e javës tjetër në Gjykatën e Apelit.

Martinaj u arrestua në Spitalin e Traumës, pak orë pasi kishte dhënë dëshminë për ngjarjen e 4 tetorit. Ai ndodhej në mjekim në momentin e arrestimit, pas një përplasje me armë zjarri, ku mbeti i vrarë truproja i tij, Fabian Gaxha, dhe u plagos një tjetër shoqërues i tij.

Përplasja me armë zjarri ndodhi pas një konflikti mes Martinajt dhe Ervin Matës dhe shokut të tij ish-komando, Merviol Billo. Ky i fundit, i cili është shpallur në kërkim, dyshohet edhe në bazë të dëshmive të dhëna më parë nga dëshmitarët okularë se është personi që shkaktoi vrasjen e Gaxhës dhe plagosjen e dy të tjerëve. Në momentin e arrestimit, Martinaj ishte një ndër biznesmenët më të mëdhenj të kompanive të basteve në vend, të cilat u mbyllën nga qeveria në 1 janar të këtij viti.

Top Channel