Çupi në Top Talk: Opozita çartiste me platformë frazash pa interes

02/05/2019 16:13

Zhvillimet e fundit politike kanë krijuar një dinamikë të re, por edhe pikëpyetjet për zgjidhjen e këtij ngërçi janë shtuar. Për të folur në lidhje me këtë situatë por edhe për aktualitetin politik i ftuar sot në Top Talk ka qenë gazetari dhe publicisti Frrok Çupi.

Gjatë intervistës, gazetari Çupi foli edhe për platformën e Partisë Demokratike, të cilën e prezantoi sot për publikun. Sipas tij, platforma e PD përfshin disa fraza që s’kanë interes dhe asgjë serioze.

“Gjithçka që kam lexuar në programin e prezantuar nga Partia Demokratike, janë disa fraza, që s’kanë interes. Aty thuhet që drejtësia të mos jetë në dorë të qeverisë. Ne nuk dimë që drejtësia të jetë në dorë të qeverisë. Thuhet që të ketë zgjedhje të ndershme dhe të lira. Drejtësia ka probleme të mëdha, por nuk mund të thuhet në teori që drejtësia është në dorë të shtetit. Nëse ke thënë këtë, nuk është defekt i sotëm, por i hershëm, më shumë se 30 vjet. Edhe nëse drejtësia ndikohet prej partive politike apo administrata shtetërore, një parti politike nuk mund ta thotë si një deklaratë përfundimtare, për shkak se po godet besimin e qytetarëve mbi drejtësinë”, argumentoi publicisti.

Më tej shtoi se opozita po vuan moshën dhe krizën e saj. Lëvizjen e sotme për bllokim rrugësh, apo prezantimin e platformës, e cilësoi si një “Lëvizje Çartiste”, e cila formoi një Parlament jashtë Parlamentit.

“Lëvizja e sotme më ngjan tërësisht me një ‘lëvizje çartiste’, është njësoj si një lëvizje çartiste. Jashtë Parlamentit ishin çartistët, reformën në drejtësi e kishin çartistët, reformën Parlamentarekundër korrupsionin e kishin çartistët dhe kishin një Parlament me vete. Kjo është një lëvizje që nuk i përket shekullit, jo më një shtetit modern. Opozita është në drejtën e vet që të lerë Parlamentin, të çregjistrohet si parti, të bëjë projekte, por nuk mund të imponojë. Nëse projektet do bëheshin në Parlament, do kishin vlerë ligjore. Në këto rrethana, kur opozita ka hyrë në rrugën militare, kjo e zhvlerëso iniciativën aventureske që mund të marrë një opozitë. Ajo ka krijuar idenë e imponimit dhe idenë e frikës. Platforma e saj nuk ka vlerë”, tha zoti Çupi.

Top Channel