Grabitja e Rinasit, ngecin hetimet/ Gjendet një tjetër makinë e djegur, armë e dokumente greke

01/05/2019 15:41

Pavarësisht se për grabitjen e Rinasit hetimet u regjistruan edhe për shpërdorim detyre, deri më tani Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka asnjë të dyshuar dhe nuk ka pyetur asnjë zyrtar apo punonjës një zyrtar ku fill pas ngjarjes së bujshme u sekuestruan dhjetëra dokumente.

Hedhja e përgjegjësisë sa tek njëri institucion tek tjetri nuk ka marrë ende kuptim hetimor për prokurorët që po hetojnë, të cilët pretendojnë se dosja është voluminoze dhe se do të duhet të lexojnë materialet dhe më pas të vendosin se cili nga institucionet ishte përgjegjës për garantimin e sigurisë në aeroport.

Njëkohësisht me hetimet për zbulimin zinxhir të grabitësve, Prokuroria dhe policia janë edhe në kërkim të vlerave monetare për të cilat ka pak shpresë se do të zbulohen se ku janë fshehur. Përveç metodave speciale policia po kërkon në tre zona, Dritas, Nikel dhe Elbasan.

Në fshatin Dritas ku edhe u gjet në tunelet ish-ushtarake njëra nga makinat e djegura, qetësia nuk është kthyer ende.

Altin Brata, i cili e ka shtëpinë fare pranë tuneleve dhe çdo ditë kullot bagëtinë në këtë zonë thotë se pasditen e grabitjes ai nuk ka pare asgjë të dyshimtë.

“Nuk kam parë asnjë asgjë, por policia kthehet shpesh këtu”, thotë ai.

Ndërkohë policia mes dhjetëra veprimeve po verifikon të dhënat edhe për një automjet tip Nissan i gjetur i djegur dy ditë më parë pranë shinave të trenit.

Në brendësi të mjetit me targa të huaja IOB 6442 është gjetur një pistoletë me tytë të montuar, një fletë palosje me mbishkrim në gjuhen greke dhe një kuti kartoni me mbishkrimin Tsakiris Mallas.

Policia nuk është ende në gjendje të japë detaje nëse kjo makinë është përdorur nga të njëjtët të dyshuar, apo nga autorë të tjerë për ngjarje të tjera kriminale.

Top Channel