Pretendimet e ushtrisë indiane, se ka gjetur gjurmë të krijesës mitike “Yeti”, kanë bërë që në rrjetet sociale të shpërthejnë shakatë e mosbesimi.

Në faqen e saj në Twitter, ku ka gati 6 milionë ndjekës, thuhet se ka gjetur gjurmë misterioze në bazën e vet Makalu pranë Himalajeve, e shton se ato i përkasin njeriut legjendar të dëborës.

Krijesa e përshkruar si një lloj majmuni gjigant gjendet edhe në foklorin e Azisë së Jugut.

Nuk ka asnjë provë që të vërtetojë ekzistencën e saj, megjithatë, ky mit vazhdon të ketë jehonë të madhe në rajon. Gjurmët ishin gjetur më 9 prill, por ngjarja u bë publike vetëm tani, pasi ushtria vendosi që fillimisht të verifikonte nëse zbulimi përkon edhe me teori të mëhershme mbi “Yetin” e famshëm, që thuhet se jeton në pjesët e larta të Himalajeve.

Histori për njerëz që kanë parë shenja të tij janë të zakonta në Indi, Nepal e Butan. Por, fotot e ushtrisë u pritën me mosbesim nga përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët nuk kanë ngurruar t’iu përgjigjen këtyre pretendimeve me doza të forta humori.

Në vitin 2011, testi i ADN-së i kryer mbi atë që pretendohej se ishte gishti i fosilizuar i një “Yeti”, i gjetur në Nepal përpara gjysmëshekulli, rezultoi të ishte një kockë njeriu.

Ndërsa dy vite pas kësaj, teste të ngjashme mbi kampionë qimesh floku të realizuara nga profesori i Universitetit të Oksfordit, Bryan Sykes, u përputhën me ato të një ariu të lashtë polar. Për Sykes, shpjegimi më i mundshëm ishte që krijesa mitike të jetë në fakt një lloj hibridi mes ariut polar dhe atij të murrmë.

Top Channel