Shiu i meteorëve lyrid mund të ketë përfunduar, por shansi për të parë yje që bien këtë pranverë është ende i madh. Meteorët “Eta Aquarids” kanë mbërritur më 19 prill dhe do të jenë të dukshëm deri më 28 maj, me kulmin në orët e para të mëngjesit të 6 majit.

Njerëzit në Hemisferën e Jugut do të kenë shanset më të mira për të parë “Eta Aquarids”, por meteorët rezervojnë spektakël edhe për Hemisferën Veriore po ashtu. Gjithçka që nevojitet është një qiell i pastër dhe i errët. Nëse moti e lejon, vëzhguesit e qiellit mund të shohin deri në 40 meteorë në orë gjatë momenteve kulminante.

“Eta Aquarids” duket se vijnë nga një yll i shndritshëm, i quajtur “Eta Aquarii” në konstelacionin Aquarius. Por, si meteorët e tjerë, janë thjeshtë copëza në lëvizje hiri dhe lënë pas strisha të shndritshme ndërsa hyjnë në atmosferën e Tokës dhe digjen në të.

Pjesëzat e hirit vijnë nga bishti i një komete, në këtë rast kometës Hallej, që i afrohet Tokës çdo 75 vjet në orbitën e saj eliptike përreth Diellit. Kometa Hallej ishte e njohur që në kohët e lashta, por e mori emrin e saj pasi astronomi britanik i shekullit të XVIII Edmond Hallej vuri re kthimet periodike të kometës që iu afrua shumë tokës në 1986 dhe që do të rishfaqet në 2061.

Edhe pse kometa vetë kthehet në mënyrë periodike, Toka kalon në vazhdën që ajo lë pas çdo vit nga ku edhe prodhohet “Eta Aquaridis”. Për të parë shiun e meteorëve nuk nevojiten teleskopë apo pajisje të tjera. Mjafton të gjesh një vend të errët me pamje të hapur dhe të shohësh qiellin.

Top Channel