Kohët e fundit, në disa qarqe historianësh, është diskutuar me forcë se krishterimi është ndikuar shumë nga fetë misterioze të Romës së lashtë, të cilat kishin shpesh rite të shfrenuara pagane si dhe flisnin rreth lidhjes me një zot personal.

Propozuesit e kësaj teorie thonë se një figurë pagane, Atisi, (nga frygët), përshkruhet se kishte lindur nga një grua e virgjër, e quajtur Nana; kishte vdekur i kryqëzuar mbi një pemë; ringjallet në pranverë duke u kthyer nga të vdekurit; dhe predikuesit e këtij besimi (priftërinjtë) ishin eunukë.

Këto elemente mund të duken shumë të ngjashme me Jezusin dhe krishterimin, ndaj dhe diskutimet. Por hetime më të thella sugjerojnë se provat për të pranuar një ngjashmëri të tillë janë të pakta.

Besimet e paganëve dhe krishterimi

Besimet misterioze të paganëve kanë ekzistuar përgjatë periudhës helenistike, gjatë perandorisë romake e deri në shekullin e pestë, kur shumica u zëvendësuan nga krishterimi.

Këto besime karakterizoheshin nga rituale të sofistikuara e të shfrenuara, bazoheshin në njohuri që ruheshin në mënyrë sekrete, dhe theksonin me forcë lidhjen personale me perëndinë.

Perënditë e vjetra greke dhe romake ishin të distancuara dhe moskokëçarëse ndaj njerëzve. Ndërsa ato të besimeve misterioze kishin vëmendje të veçantë ndaj njerëzimit, e shpesh mund të krijonin lidhje personale.

Edhe në Egjiptin e Lashtë thuhej se perëndesha Isis e furnizonte Nilin nëpërmjet lotëve, dhe se kishte ushqyer faraonët, duke u dhënë fuqinë hyjnore për të qeverisur me drejtësi.

Për shkak të ngjashmërive të tilla, historianët bëjnë shpesh lidhje me krishterimin që erdhi më pas. Dhe sidomos me Atisin.

Atisi ishte i lidhur me perëndeshën Kibela. Kulti i Atisit ishte një fe që kishte rituale të shfrenuara, dhe madje disa thonë që ai ka vdekur më 25 dhjetor. Ngjashmëritë e tjera, si vdekja mbi pemë dhe rikthimi nga të vdekurit, janë ato që i bënë shkencëtarët të diskutojnë për ngjashmëri.  Por sa janë të vërteta këto detaje?

Mitet dhe të vërtetat për Atisin

Për Atisin nuk ka shumë detaje. Shkrimet e lashta që i përmendin vërtet ngjashmëritë e mësipërme me Jezusin, në fakt datojnë pas kohës së krishterimit, madje disa shekuj më vonë. Shkrimet para krishterimit nuk i përmendin këto ngjashmëri. Mundësia është që Atisi të jetë ndikuar nga pikëpamjet e krishtera, dhe jo e anasjellta. Dhe po të hetohen mitologjitë e hershme për të, nuk ka shumë ngjashmëri me narrativën e Ungjillit.

Sipas një versioni mitologjik, (para krishterimit) Atisi ishte emëruar kryepredikues nga perëndia Kibela, dhe një nga kushtet e saj kishte qenë dëlirësia, virgjëria. Kur Atisi e kishte shkelur fjalën e dhënë me një nimfë, ai ishte çmendur dhe kishte tredhur veten. Pasi e kishte marrë veten nga dhimbjet, kishte kryer vetëvrasje. Kibela e kishte marrën trupin dhe e kishte shndërruar në një pemë, e cila u bë më pas shumë e shenjtë për të.

Në disa versione të tjera, Atisi përshkruhet si një kryepredikues që po arratisej nga një mbret që kishte interesa seksuale ndaj tij. Kur e kapën, Atisi kishte arritur ta tridhte mbretin. Teksa humbiste gjak dhe priste vdekjen, mbreti kishte urdhëruar që Atisit t’i bëhej e njëjta gjë, si hakmarrje. Në këtë version, Kibela e gjen Atisin të vdekur poshtë një peme. Ky mit vazhdon me versione të tjera, dhe shumica përfundojnë me tredhjen dhe vdekjen e Atisit në një pemë.

Ndryshimet me Ungjillin

Në versionet që ngjajnë me Ungjillin, që janë shkruar në fakt pas krishterimit, Atisi nuk bën asnjë ofertë për të shpëtuar njerëzimin. Vdekja e Atisit në këto versione është thjesht vdekje tragjike, dhe nuk merr përsipër mëkatet e gjithë njerëzve. Dhe për shkak se Atisi ishte perëndia e bimësisë, kjo i jep më shumë kuptim vdekjes në një pemë, si dhe rikthimin e tij në jetë në pranverë, kur çelin lulet. Dhe këtu është një tjetër ndryshim: Atisi ringjallet çdo pranverë, ndërsa historia e Jezusit është ndryshe, pasi ai ringjallet vetëm një herë.

Me pak fjalë, ideja e ngjashmërisë së Atisit me Jezusin është pak e ekzagjeruar. Nuk ka prova të forta që të sugjerojnë se Atisi është vrarë si Jezusi, apo që të ketë vepruar si një perëndi që do të sillte shpëtimin e njerëzve.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel