Në Shkodër u arrestuan dy persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali, më 30 mars.

Në pranga kanë rënë Arsen Stojku (29 vjeç) dhe Myslym Rama (23 vjeç), të dy nga Vau i Dejës, të cilët dyshohen se janë autorë të vrasjes, ndësa një prej të dy të kërkuarve është 26-vjeçari Ibrahim Lici për të cilin policia thotë se është i dyshuari kryesor që ka bërë dhe qitjen me armën e krimit.

I kërkuari tjetër është një 29-vjeçar që dyshohet se ka ndihmuar bashkëpunëtorët në vrasje.

Sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, që të katër kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim vrasjen e vëllëzerve me breshëri kallashnikovi në lagjen Kiras. Janë sekuestruar një automjet, tre aparate telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes se krimit. Por, policia nuk jep zyrtarisht detaje për motivet dhe thotë se po punon për identifikimin e personave të tjerë.

Dyshimet janë se vrasja e tipit mafioz është një ekzekutim për hakmarrje si pjesë e luftës së nisur mes dy fiseve të njohura në botën e krimit në Shkodër. Vrasja dyshohet të jetë hakmarrje për shkak se viktimat kanë lidhje me një tjetër vrasje ndodhur pak kohë më parë në këtë qytet. Astrit Bilali është babai i Asmer Bilalit, një anëtar i dyshuar i bandës Bajri, i cili mendohej se ishte shënjestra e vërtetë e atentatit ku mbeti i vrarë disa muaj më parë Arjan Ferracaku. Kjo ngjarje ka mbetur pa autorë, edhe pse policia shoqëroi disa persona të fisit Lici. Të dy vëllezërit kujdeseshin për një kompleks hipizmi në zonën e Kirasit.

Top Channel