“Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndjekur transmetimet në media ditëve të fundit lidhur me sigurinë ushqimore në vendin tonë me fokus në prodhimet me origjinë bimore e shtazore. Ne mirëpresim dhe vlerësojmë kontributin e mediave dhe të qytetarëve për denoncimin e rasteve abuzive kudo ku ato konstatohen, sepse siguria ushqimore është një çështje që kërkon angazhim dhe bashkëpunim të gjithë aktorëve shoqërorë”.

Ministria e Bujqësisë ka reaguar pas denoncimit të Top Story duke thënë më tej se nuk ka vend për alarm: “Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon qytetarët se nuk ka vend për alarm. Sot në tregjet shqiptare ka produkte ushqimore të sigurta dhe të çertifikuara sipas standardeve të sigurisë ushqimore të garantuara me ligj dhe akte rregullatore. Po ashtu, sqarojmë qytetarët si vijon: Së pari, institucionet në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural monitorojnë dhe raportojnë rregullisht lidhur me sigurinë e prodhimeve vendase. Ato kanë marrë masat përkatëse ndaj çdo rasti abuzimi që kanë zbuluar këto institucione ose që janë bërë publike në media, deri në pezullim të aktivitetit prodhues të subjekteve që kanë kryer shkelje të ligjeve dhe standarteve në fuqi”.

“Së dyti, prodhimet bujqësore shqiptare konkurrojnë sot në tregjet ndërkombëtare. Shqipëria është një nga vendet kryesore të eksportit të prodhimeve bujqësore në rajon ndërsa janë rritur ndjeshëm eksportet drejt vendeve të BE-së. Vetëm për vitin 2018, vlera e produkteve bujqësore vendase të eksportuara në Itali është 8.5 miliard lekë, në Greqi 2.9 miliard lekë, Suedi 2.2 miliard dhe Gjermani 1.4 miliard.

Eksporti i domateve Shqiptare është trefishuar në volum nga rreth 25 mijë ton në vitin 2013 në rreth 75 mijë ton në fund të 2018 dhe pesë fishuar në vlerë duke arritur në 4.4 miliard lekë në 2018. Kjo rritje e eksporteve të prodhimeve vendase dëshmon se fermerët shqiptarë ofrojnë produkte të cilësisë së të lartë dhe të sigurta. Deri më tani nuk ka pasur kthime mbrapsht të prodhimeve bujqësore nga Shqipëria për shkak të treguesve të sigurisë ushqimore që lidhen me nivelin e pranisë së pesticideve.

Së treti, për sa i takon importeve të produkteve bimore dhe shtazore, më specifikisht importi i mishit të gjedhit, derrit dhe shpendit nga Brazili, që në vitin 2017 ushtrohen kontrolle zyrtare të autoriteteve kompetente të sigurisë ushqimore në masën 100% të ngarkesave të ardhura.
Së katërti, në Shqipëri egzistojnë strukturat e përshtatshme për të bërë kontrollin e sigurisë së prodhimeve blegtorale e bujqësore.

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) me një përvojë mbi 90 vjecare, bën kontrollin e sigurisë ushqimore, të shëndetit të kafshëve dhe mbrojtjen e bimëve, ka rreth 33 laboratorë teknikë të disiplinave të ndryshme. Vetëm vitet e fundit janë investuar mbi 3 milion euro në pajisje laboratorike për sigurinë ushqimore me teknologji bashkëkohore europiane.

Këta laboratorë përdorin metoda për kryerjen e analizave konform protokolleve ndërkombëtare dhe teknikave instrumentale të përdorura nga laboratorët e referencës në BE. Në vitin 2018, ISUV kreu mbi 60 000 analiza të lidhura me sigurinë e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Për të mbuluar të gjithë gamën e analizave të nevojshme për garantimin e sigurisë ushqimore, ISUV sot bashkëpunon me laboratorë dhe institute shkencore prestigjioze të vendeve të BE në Belgjikë dhe Itali”, lexohet në njoftim.

Top Story solli një panoramë të zgjeruar të tre shtyllave kryesore ku bazohet shporta e ushqimeve të familjes, mishi, bulmeti dhe perimet, siguria dhe rreziku që vjen prej tyre.

Përmes intervistave, eksperimenteve, analizave por dhe fakteve të xhiruara në terren, Top Story sjell masakrën që iu bëhet këtyre produkteve dhe që konsumatorët i blejnë çdo ditë.

Mishi, qumështi, gjalpi, kosi, misri, drithërat, perimet, uji janë disa nga produktet që Top Story zgjodhi për të nxjerr rezultatet e sigurisë së tyre.

Përmes eksperimentit të bërë nga Top Story, domatet skuqen për dy ditë me hormonin e dëmshëm “Ethomex”, apo se si pluhuri i tullës dhe i allçisë përdoren si ngjyrues dhe forcues të disa produkteve ushqimore.

Gjithashtu Top Story solli dhe se si laboratori ISUV, bën analiza pa qenë i akredituar.

Top Channel