Rama: Zgjedhjet nuk shtyhen dhe nuk do të ketë 18 maj të dytë

26/04/2019 14:50

Nga Malësia e Madhe, Edi Rama la të kuptohet se mes tij dhe Lulzim Bashës nuk do të ketë një 18 Maj të dytë, ndërsa siguroi se data e zgjedhjeve lokale nuk do të ndryshojë.

“Shumë kush nga ata që i shkojnë mbrapa Monikës dhe Lulit, po sidomos Monikës, ata besojnë në filxhan dhe është vështirë t’ua ndërrosh mendjen kollaj. Po këta të tjerët, që nuk besojnë në filxhan, besojnë se do shtyhen zgjedhjet, do ketë ndodhi diçka që Luli të marrë gjysmën e qeverisë etj. Por asgjë nga këto s’ka për të ndodhur! Gjëja që do ndodhi pas zgjedhjeve është që të rilindë PD, por kjo është punë e tyre”, tha ai.

Për kryeministrin, lideri demokrat kërkon pushtet në tavolinë, por sipas tij, Lulzim Basha për këtë nuk ka asnjë shans.

” Luli do të bëhet kryeministër dhe thotë ik ti të vij unë. Por duhet të marri votat nga ju, unë kam marrë votat për këtë punë. Nuk i kam marrë që të punësoj Lulin. Ai kërkon njerëz që t;i bien murit me kokë, që të thyejnë murin, që të hapet rruga për të. Po kjo është e pakuptimtë”, u shpreh Rama.

Kryeministri shprehu keqardhje, për protestuesit të cilët i bllokuan rrugën për në Shkodër, ndërsa me faj bëri liderët e tyre të cilët sipas tij duan të pengojnë drejtësinë dhe negociatat.

Edi Rama përmendi sërish burgun për këdo që mendon të prishë zgjedhjet më 30 qershor.

Top Channel