Gent Cakaj, ministër në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme po zhvillon një vizitë njëditore në Austri.

Gazetari Muhamed Veliu, i cili po e ndjek nga afër këtë vizitë, bëri me dije se ministri “ka nisur një vizitë njëditore në kuadër të një turi lobimi që do të ndërmarrë në të gjitha kryeqytetet e Evropës për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë”.

Sipas gazetarit, ministrja austriake ka vlerësuar reformat e deritanishme të Shqipërisë dhe ka mbështetur integrimin e vendit tonë në BE.

“Jam shumë e lumtur të mirëpres kolegun tim këtu në Vjenë. Marrëdhëniet bilaterale janë perfekte. Siç edhe dihet, Austria është një mbështetëse e fortë e BE-së. Përsa i përket Shqipërisë, thellësisht vlerësojmë përpjekjet që lidhen me reformat, në veçanti atë në drejtësi dhe rezultatet që janë arritur deri tani. Ne jemi në dijeni për situatën politike bllokuese. Përsa i përket Shqipërisë në rolin e saj të bashkëpunimit si për shembull doganat, lufta ndaj korrupsionit, trafiku i drogës, autoritetet shqiptare kanë bërë një progres tejet të mirë, kjo duhet të merret në konsideratë dhe të respektohet. Përsa i përket bisedimeve të ardhshme për hapjen e negociatave me BE-në, Vjena dhe qeveria jonë janë gjithmonë për të dhënë mbështetje. Kjo sepse ne mendojmë që pjesa juglindore e Evropës duhet ta marrë në konsideratë edhe për çështjet që lidhen me emigracionin dhe sigurinë, për ta bërë BE-në më të sigurtë”, tha ministrja e Jashtme e Austrisë.

Top Channel: Cili është qëndrimi i qeverisë suaj, a e meriton Shqipëria çeljen e negociatave në BE?

Karin Kneissl: Siç e theksova në fjalen time, ne jemi mbështetës të fortë dhe vlerësues të reformave të ndërmarra dhe të menduarit të Europës për një strategji zgjerimi.

Ndërsa Gent Cakaj deklaroi: “Falenderoj përzemërsisht ministren për bashkëpunimin konstruktiv. Kjo vizitë shërbeu për të hapur bashkëpunimin edhe në fusha të tjera. Fokusi i takimit ka qenë bashkëpunimi bilateral në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve të reja. Pika e dyta ka qenë mbështetja e Austrisë për axhendën europiane për të hapur negociatat në qershor të këtij viti bazuar në progresin që ka arritur Shqipëria në 5 prioritetet. Si dhe kemi biseduar për kryesimin e Shqipërisë së OSBE-së në vitin 2020. Kemi marrë mbështetjen e Austrisë për këtë proces në nivel diplomatik dhe teknik për rritjen e kapaciteteve tona”.

  Austria: Mbështesim Shqipërinë!

Top Channel