Shitblerja e votës nuk është një fenomen i ri, i cili u shpik vetëm në zgjedhjet e 2017-s, sikurse nuk është kryer vetëm nga palët aktuale në pushtet.

Pikërisht për këtë çështje u përshkallëzua debati në studion e “Open”-it të Eni Vasilit, ku gazetari Mentor Kikia tha se shembuj të shitblerjes së votës ka pasur nga PS-ja, PD-ja dhe LSI-ja, aq sa askush nuk i mohon dot.

Por, ku gjenden paratë për fushatat e supertrumpetuara, për posterat që pushtonin rrugët e kryeqytetit dhe të të gjithë qyteteve sa herë kishte zgjedhje në vend, lokale apo qendrore, me përjashtim të atyre të 2017-s?

Monika Kryemadhi këmbënguli se LSI-ja është e vetmja parti në Shqipëri që i ka të publikuara dhe të raportuara me emër dhe mbiemër të gjithë financuesit e saj.

Deklaratës së zotit Kikia, sipas të cilit partitë ua marrin këto para biznesmenëve të fuqishëm, në mënyrë që me të ardhur në pushtet t’ua kthejnë me anë të tenderave me parà nga buxheti i shtetit, Kryemadhi iu përgjigj duke përmendur disa emra firmash, si Salillari apo Gener2.

Por Kikia nuk ra dakord me të, pasi tha se këto emra të përmendura prej Kryemadhit janë firma që janë gjithnjë me qeverinë, u paguajnë fushatat të gjithëve dhe sido që të shkojnë zgjedhjet, ata sërish janë përfitues të tenderave.

Zgjidhje për këtë, sipas panelistëve në studio është detyrimi me ligj për të bërë transparencë financiare për partitë.

Top Channel