Në korridoret e një shkolle në Baltimorë jehon muzika. Orkestra e nxënësve ka 60 vetë, që të gjithë pjesë e programit “OrchKids”, që synon të frymëzojë ndryshime sociale përmes edukimit muzikor.

I nxitur nga një program i ngjashëm në Venezuelë, ai po testohet edhe në Baltimorë, ku ka tërhequr më shumë se 1.000 nxënës filloreje. Qëllimi është që të miturit të largohen nga rrugët e një qyteti, niveli i krimit dhe vrasjeve të të cilit renditet ndër më të lartët në SHBA.

“Shumë prej këtyre fëmijëve ndërrojnë dy apo 3 autobusë, sepse vijnë që nga ana tjetër e qytetit deri këtu te ne. Kjo kërkon shumë energji. Por, ata e bëjnë, edhe pse duhet të sakrifikojnë shumë”, tha Jane Cromëell, mësuese muzike tek “OrchKids”.

Stephany është një prej këtyre fëmijëve. Vajza merr mësime violonçeli dhe praktikohet 4 herë në javë. Në fillim – siç thotë, – nuk i pëlqente muzika klasike, por që kur iu bashkua këtij programi, ajo është bërë pjesë e saj dhe tani ëndërron që një ditë të bëhet edhe vet mësuese muzike.

Reputacioni i Baltimores për dhunën dhe pabarazinë shoqërore kaloi radarët ndërkombëtarë, kur në vitin 2015, në qytet shpërtheu një valë trazirash të nxitura nga vdekja e Freddie Grey, një afro-amerikan që humbi jetën prej neglizhencës së policisë.

“OrchKids” po kërkon të ndryshojë diçka, duke e promovuar tashmë Baltimorën si një qytet muzike, e jo si një vend krimi.

Top Channel