E pyetur nga gazetari dhe botuesi Carlo Bollino, njëri prej panelistëve të kësaj të enjteje në “Open” nga Eni Vasili, se cili është fundi i këtyre protestave dhe çfarë zgjidhjeje mund të arrihet përmes tyre, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi risolli në vëmendje përgjimet e zbardhura nga “Zëri i Amerikës” dhe mosveprimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

“Shqiptarëve iu është bërë bukë e djathë ai numri i dosjes së famshme të denoncuar nga media prestigjioze amerikane, e cila tregoi me zë sesi disa trafikantë janë përgjuar teksa kanë ofruar shërbime në favor të socialistëve përmes ndikimit për vota”, tha Kryemadhi.

“E çuditshmja këtu është fakti që për dosjen 339 nuk ka ende hetime nga prokuroria, nuk dihet përse nuk veprohet edhe sot e kësaj dite për këtë shitblerje votash”, deklaroi më tej kryetarja e LSI-së.

Sipas saj, gjëja e parë që mund të bënte Rama sapo dolën ato përgjime nga një medie e huaj prestigjioze ishte shkarkimi i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

Por, ndërsa Rama nuk ofron zgjidhje dhe opozita kërkon zgjidhje përmes largimit të kryeministrit, gazetari Mentor Kikia deklaroi se jemi futur në një rreth vicioz me pasoja shumë të rënda.

“Në kërkim të zgjidhjes do të kemi përshkallëzim të veprimeve dhe të dhunës, nga djegia e gomave e shumë të tjera, por ky është një ekuacion me shumë të panjohura dhe vetëm një zgjidhje, e cila nuk pranohet nga qeveria në pushtet”, tha Kikia.

Por a do të mund të ulen palët në tryezë? “Edhe nëse ulen, lind pyetja për çfarë do të diskutojnë?”, tha më tej Kikia, pasi palët kanë qëndrime krejtësisht të kundërta dhe përjashtuese të njëra-tjetrës.

“Ekuacioni nuk është me shumë të panjohura, por me një të panjohur të vetëm Edi Ramën. Ai nuk përfaqëson Edi Ramën, por një grup kriminal, që ne nuk e dimë se deri ku shtrihet, deri në Amerikën Latine, Italinë e Jugut, Azi, apo në Amerikë”, tha Kryemadhi.

Top Channel