NBA, Houston kalon në gjysmëfinale; Clippers nuk dorëzohet

25/04/2019 14:30

Nuk gaboi Houston Rockets, që i bashkohet Portland Trailblazers në gjysmëfinalen e Konfereëncës së Perëndimit në NBA. Skuadra teksane fitoi ndeshjen e pestë me Utah Jazz 100-93, për të mbyllur serinë e ndeshjeve në 4-1.

Ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë fitorja e Houstonit u arrit më shumë falë mbrojtjes sesa sulmit. James Harden, i cili na ka mësuar me statistikat e tij të jashtëzakonshme, këtë radhë u mjaftua me vetëm 26 pikë të shënuara, duke qenë gjithsesi shënuesi më i mirë. Megjithatë, ai dha një kontribut të madh edhe në lojën mbrojtëse të skuadrës që si rrallëherë ishte shumë intensive.

Tani, Houston do të pushojë dhe do të presë të mësojë emrin e skuadrës kundërshtare të radhës që do të dalë pikërisht nga çifti Los Angeles Clippers-Golden State.

Los Angeles Clippers nuk ka ndërmend të dorëzohet lehtë ndaj Golden State përsa i përket çështjes së kualifikimit për në gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit. Këtë ajo e tregoi edhe në ndeshjen e pestë me kampionët në fuqi, të cilët i mundi 129-121 duke e ngushtuar rezultatin në serinë e ndeshjeve me ta në 3-2. Në “Oracle Arena”, skuadra nga Los Angeles i besoi Lou Williams dhe Danilo Gallinarit për të thyer rezistencën e Golden State dhe të bëjnë të pavlefshme paraqitjen e jashtëzakonshme të Kevin Durant, i cili shënoi 45 pikë.

Dhe të mendosh që ishte Golden State që bëri një nisje më të mirë të sfidës me synimin për të mbyllur përfundimisht llogaritë e kualifikimit për në raundin tjetër. Por, llogaritë nuk u bënë mirë nga Warriors sepse Los Angeles këtë radhë nuk e humbi toruan dhe rivalizoi me Golden State, madje duke i marrë këtë fitore me vlera. Ndeshja e gjashtë do të luhet në Staples Center dhe ideja e LA Clippers është që të çojë këtë seri në sfidën e 7.

Top Channel