Një super operacion i policisë greke, ka shkatërruar dy organizata të trafikut të lëndëve narkotike, dhe ka sekuestruar një ndër sasitë më të mëdha të kanabisit, të kapura këto dy vitet e fundit në vend.

Sipas policisë greke, fillimisht forcat speciale të policisë (Ekam) ndërhynë në zonat Sepolia, Ilion, Zefiri, Kipseli, dhe Menidhi të kryeqytetit, ku vunë në pranga 5 shtetas të huaj, mes tyre tre shtetas shqiptarë dhe dy shtetas iranian.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 44 kg heroinë e pastër, 10 kg përzierjes të lëndës narkotike.

Sipas informacioneve të dhëna, policia thotë se lënda narkotike mbërrinte në Athinë nga Irani, ku edhe përzihej dhe shpërndahej në piacën e narkotikëve, kryesisht në zonën Eksarqia të kryeqytetit.

Trafikantëve iu gjet edhe një pistoletë dhe sasi parash cash. Përfitimet e organizatës llogariten në shumë se 1 milion euro.

Shefat e organizatës janë dy shtetas shqiptarë, të cilët ndodhen në burgun e Koridhalos, akuzave të të cilëve, do t’i shtohen edhe vepra penale e trafikut të drogës.

Operacioni i dytë u zhvillua në zonën e stacionit rrugor në Elefsina, ku prej një kontrolli të bërë në një taxi, u gjetën 75 kg kanabis dhe u vu në pranga një shtetas grek 54 vjeç.

Prej hetimeve, rezultoi se lënda narkotike ishte ngarkuar në një magazinë të zonës Elefsina, brenda së cilës ndodhej një shtetas shqiptar 37 vjeç, tashmë i arrestuar.

Në total në këtë magazinë, dhe me taksinë e sekuestruar, u gjetën 744 kg kanabis,ndërsa në banesën e shtetasit shqiptar u gjeten edhe 10 kg të tjera duke e çuar sasinë totale në 755 kg kanabis.

Hetimet e publikuara, bëjnë me dije se lënda narkotike ishte mbajtur prej shumë kohësh në magazinë. Ajo kishte mbërritur në Athinë nga Shqipëria.

Dyshohet se sasia e magazinuar ka qenë shumë më e madhe, por autoritetet nuk munden të japin detaje lidhur me sasinë sesa ka qenë ajo fillimisht.

Policia deklaroi se përfitimet e organizatës, tejkalonin 1 milion eurot, ndërsa në kërkim janë shpallur edhe disa shtetas të tjerë shqiptarë, emrat e të cilëve nuk bëhen publik.

Të arrestuarit dhe materialet në ngarkim të tyre, iu dërguan gjykatës, e cila vendosi masën e sigurisë me burg.

Top Channel