Policia kufitare boshnjake të martën mohoi keqtrajtimin e emigrantëve, pas një videoje të shfaqur të të ndaluarve në një strukturë mbajtëse kufitare, të cilët mbaheshin në kafaze.

Videoja e shkurtër u publikua nga organizata bamirëse pro-emigrant “Are You Syrious”, që thotë se ishte dërguar nga një nga të ndaluarit. Ajo tregon njerëz të mbajtur në dhomëza të vogla, të ndara nga rrjetë teli. Organizata thotë se emigrantët ishin irakianë dhe përfshinin pesë fëmijë, një vetëm 3 vjeç.

Policia tha se objekti i treguar në video është një bllok i përkohshëm i paraburgimit për emigrantët e paligjshëm, të ndërtuar me fonde nga Bashkimi Evropian, në kalimin kufitar të Klobuk, ku emigrantët që hyjnë nga Mali i Zi mbahen në pritje të dëbimit.

“Policia kufitare e Bosnjës dhe Hercegovinës mohon trajtimin çnjerëzor të migrantëve në objektin e saj në kalimin kufitar të Klobuk”, thanë ata në një deklaratë.

Videoja që tregon disa të burgosur të mbuluar me batanije, ka shkaktuar zemërim publik në Bosnje, por policia tha se dhomëzat kishin ajër të kondicionuar dhe ngrohje, dhe emigrantët nuk ishin mbyllur.

Bosnja, që ende po rimëkëmbet nga lufta civile në vitet 1990, po përpiqet të përballet me mijëra emigrantë që nga janari 2018, kur u bë një vend i rëndësishëm tranziti, pasi vendet e tjera, të tilla si Hungaria, Sllovenia dhe Kroacia, fortifikuan kufijtë e tyre.

Aktivistët shpesh kanë kritikuar trajtimin e migrantëve nga policia kroate në kufijtë veriperëndimorë të Bosnjës. Tani ata thonë se po raportohen më shumë raste keqtrajtimi nga policia boshnjake në kufijtë jugorë.

Top Channel