Pezullohen dy mjekët e Elbasanit. Do hetohen në gjendje të lirë për vdekjen e një nëne të re

24/04/2019 12:26

Gjykata e Elbasanit ka dhënë sot masën e sigurisë detyrim paraqitje për dy mjekët e akuzuar për neglizhencë në mjekimin e 25-vjeçares Rexhina Debrova, e cila humbi jetën dy ditë më parë në Maternitetin e Elbasanit pasi solli në jetë foshnjen e saj.

Prokuroria ka kërkuar detyrim paraqitje dhe pezullim nga detyra të dy mjekëve deri në përfundimin e hetimeve, ndërkohë që avokatët mbrojtës kërkuan rrëzimin e të gjitha akuzave dhe cilësimin e arrestit të paligjshëm.

Gjykata vendosi detyrim paraqitje për të dy mjekët, mjekun reanimator dhe mjekun kardiolog.

Të tensionuar para gjykatës sot kanë qenë familjarët e Rexhina Debrovës, të cilët pretendojnë se kanë fakte të cilat rrëzojnë kërkesat dhe pafajësinë e mjekëve.

Një ditë më parë, mjekët e Spitalit Rajonal të Elbasanit protestuan për arrestimin e kolegëve të tyre duke pezulluar të gjitha operacionet e planifikuara. Mjekët shprehën indinjatën e tyre për reagimin e policisë, ndërkohë që shprehen të frikësuar në ushtrimin e detyrës.

Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të zbardhë shkakun e plotë të vdekjes së 25-vjeçares nga Elbasani.

Top Channel