Përfundon rikonstruksioni i mjediseve të përbashkëta të Godinës 27 në Qytetin Studenti

24/04/2019 13:47

Bashkia e Tiranës, në përmbushje të Paktit për Universitetin dhe mbështetjes së donatorëve privatë, të gjitha mjediset e përbashkëta të ndërtesës së Godinës 27 i janë nënshtruar rikonstruksionit të plotë, duke sjellë kushte komode për të gjithë studentet që jetojnë aty.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektuan punimet e kryera në këtë godinë, duke vlerësuar ndryshimin që ka pësuar ndërtesa në kushte më të mira për studentët.

“Jam shumë i lumtur që kemi ecur me konviktet. Ende pa mbaruar sezoni, pa ardhur vera, kemi mbaruar të pestin, ndërkohë pjesa tjetër është kantier. Kemi rreth 11 godina të tjera në pritje për të filluar. Disa i kemi ndarë me miqtë e tjerë që po na ndihmojnë, si TIKA apo KFË-ja, disa me donatorë, pra sipas nismës adopto një konvikt. Ama, ato që kanë përfunduar janë në kushte shumë të mira, me termoizolim, me nyje higjieno-sanitare, me dushe, me tarraca të rregullta, me hapësira të përbashkëta, me ndriçim led, me rrjet të ri elektrik dhe me salla studimi”, tha Veliaj.

Ai theksoi se pas përfundimit të punimeve në ambientet e përbashkëta, me ardhjen e pushimeve verore për studentët, do të nisin puna nëpër dhoma. “Deri në fund të muajit tjetër, me sistemin e partnerëve të bashkisë, do t’i kemi adoptuar të gjitha konviktet. Pasi mbarojnë sezonin dhe pasi mbaron viti akademik, studentët i lënë dhomat e lira, kështu që kolegët tanë të rezidencës universitare futen në nivel kapilar për të bërë rregullimet në dhoma dhe mobiljet e reja. Kur studentët të kthehen në tetor, kjo pjesë e Paktit për Universitetin do të jetë përmbushur”, u shpreh Veliaj.

Top Channel