Pakistani, “toka e dëlirësisë”. Turistët: Të thuhet e vërteta mbi këtë vend

24/04/2019 22:51

Ata janë të rinj, properëndimorë dhe plot me lavdërime për Pakistanin. Influencuesit e udhëtimit thonë se, në këtë vend kanë gjetur “tokën e dëlirësisë”, por kritikët paralajmërojnë se filtrat e tyre të zbukuruar me trëndafila po shesin një imazh të pasaktë të vendit konservator, e të shenjuar nga militantët.

Me përmirësimin e situatës së sigurisë, kryeministri Imran Khan po synon fort promovimin e potencialit turistik të vendit, e qeveria thotë se i ka lehtësuar kufizimet e vizave për shumë vizitorë të huaj.

Rezultat i kësaj nisme ishte një fluks “bloger”-ësh të udhëtimit, që i thurin lavde bukurisë së maleve dhe plazheve të Pakistanit, trashëgimisë së pasur të tij dhe historisë, duke nisur nga qytetërimet e lashta hinduiste e deri te faltoret budiste dhe monumentet islamike.

“Pakistani ishte nga ato udhëtime që të vijnë një herë në jetë”, i tha blogeri Mark Wiens 4 milionë ndjekësve të tij në Youtube.

Influencuesja polake, Eva zu Beck i informoi ndjekësit e saj se “ky vend do të kthehet në destinacionin numër një të turizmit në botë”, ndërsa kanadezja Rosie Gabrielle tha se dëshiron që të thuhet e vërteta mbi Pakistanin dhe ato që ai ka për të ofruar.

“Desha të vij në Pakistan që ta ndryshoj perceptimin mbi këtë vend. Ju dëgjoni që Pakistani është i rrezikshëm, që ka terroristë…Epo kjo nuk është e vërtetë. Unë desha t’i tregoj botës zemrën e vërtetë të Pakistanit”, tha Rosie Gabriel, blogere udhëtimi.

Por ka shqetësime që nuk reflektohen në fjalët e këtyre njerëzve, e ato nisin që nga infrastruktura e deri tek ekstremizmi. Ato që shihni në mediet sociale, – thonë këta zëra, – nuk janë një tablo e ndershme e Pakistanit, ku turizmi nuk është i zhvilluar siç duhet, e ku ndodh shpesh – sipas tyre, – që vizitorët të gjenden përballë situatash të pakëndshme.

Top Channel