Presidenti i Sri Lankës ka kërkuar dorëheqjen e Sekretarit të Ministrisë së Mbrojtjes, Hemasiri Fernando, si dhe shefit të policisë, Pujith Jayasundara.

Shkak për një lëvizje të tillë janë bërë raportet se, ka pasur paralajmërime që sulmues vetëvrasës kishin planifikuar sulme ndaj kishave e hoteleve, por ato ishin injoruar.

Së fundi u mësua se njëri prej kamikazëve, në sulmet që tronditën Sri Lankën ditën e Pashkës, kishte studiuar në Britaninë e Madhe. Ai ka qëndruar atje në mesin e viteve 2000, por nuk e kishte marrë diplomën.

Më vonë kishte ndjekur një kurs në Australi, përpara se të kthehej në Sri Lanka e të stabilizohej atje. Ky informacion ka hedhur hije dyshimi mbi gjasat që radikalizimi i të riut të ketë nisur shumë kohë më parë, derisa kulmoi me atentatin vetëvrasës të së dielës.

Shumica e kamikazëve, siç sqaroi ministri i Mbrojtjes, Ruwan Wijewardene, ishin të mirarsimuar dhe vinin nga familje të shtresës së mesme. Dy prej tyre thuhet të jenë vëllezër dhe djem të një tregtari të pasur erëzash. Ata i shpërthyen eksplozivët që mbanin në trup në hotelet luksoze “Shangri-La” dhe “Cinnamon Grand”.

Numri i viktimave të masakrës, që shkatërroi një qetësi dhjetëravjeçare në këtë vend, tani ka mbërritur në 359. Sipas kryeministrit Ranil Wickremesinghe, Shteti Islamik mund të ketë vërtet lidhje me ngjarjen, ashtu siç është përfolur në media. Vet ISIS ka dalë me pretendimin se ishte ai, organizatori i sulmeve që shënjestruan kisha e hotele, ndonëse nuk dha prova që ta dëshmonin këtë përfshirje.

Top Channel