Një ngatërresë identiteti mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë “Apple”-it. Një student 18-vjeçar në Nju Jork, i arrestuar nën pretendimin se kishte vjedhur në disa dyqane të gjigantit të teknologjisë, e ka hedhur atë në gjyq dhe kërkon dëmshpërblim.

Shuma që pretendon është plot një miliard dollarë. I riu, Ousmane Bah u prangos ndërsa ishte në shtëpi nëntorin e vitit të kaluar. Avokati mbrojtës i tij, megjithatë e sqaroi shumë shpejt se fotoja e hajdutit të vërtetë nuk korrespondonte me atë të klientit të tij.

Vet djali mendon se kanë qenë algoritmet e “Apple”-it, ato që i kanë lidhur pamjet filmike të keqbërësit me emrin e tij, duke shtyrë kompaninë të ngrinte akuza të pabaza.

Ky – sipas disave, – do të ishte shpjegimi më i mundshëm: sistemi i njohjes së fytyrës i përdorur nga “Apple” për të diktuar personat e konsideruar si të rrezikshëm e që iu afrohen dyqaneve të tij, këtë herë mund të ketë gabuar.

Por, kompania i tha BBC-së se nuk përdor teknologji të njohjes së fytyrës në dyqanet e saj. Bah, i cili është me studime në SHBA, kishte humbur më herët lejen e tij të përkohshme të drejtimit të automjetit, që nuk kishte foto të tijën dhe atë mund ta kenë përdorur hajdutët e vërtetë, ndërsa algoritmet kanë bërë lidhjen e emrit me pamjen e hajdutit.

Top Channel