Tre të dyshuarit e tjerë si bashkëpunëtorë të grabitësve i lanë ambientet e drejtorisë së Tiranës në mesditë, për tu njohur para gjykatës se Krimeve të Rënda me veprat që rëndojnë kundër tyre.

Procesi ndaj Oltion Veselit, 38 vjeç, Renaldo Sulës 25 vjeç dhe Saimir Çelës 28 vjeç u zhvillua me dyer të mbyllura sikurse ndodhi një ditë më parë edhe me Alkond Bengasin, një nga njerëzit që deri tani ka një rrëfim me interes për hetimet.

Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli arrest me burg për ta , si të dyshuar dhe bashkëpunëtore të grabitësve, mes të dyshuarve është edhe një femër me inicialet E.Bici 31 vjeçe.

Të dyshuarit shikohen si njerëzit që ndihmuan pesë grabitësit që të realizonin planin e tyre për rrëmbimin e mbi pesë milionë eurove, megjithëse njëri prej tyre Oltion Veseli për shkak të formimit ushtarak ka dyshime paraprake se mund të ketë qenë në pistë. Por ky dyshim mbetet ende i paprovuar dhe për këtë shpresa e prokurorëve është të negociojnë për ta bërë dëshmitar drejtësie.

Avokati i tij u tregua i rezervuar në përfundim të seancës.

“ Gjykata urdhëroi mbajtjen e procesit me dyer të mbyllura, do flas më vonë”, tha Ramazan Topuzi.

Por ndërkohë prokurorët kanë dëshminë e Alkond Bengasit që thotë se ishte punësuar për të modifikuar dy automjete për grabitjen. 32 vjeçari nga Elbasani ka treguar se së bashku me Klement Çalën dhe Eldi Çalën kishte takuar edhe Admir Muratajn dhe një kosovar me nofkën Tani.

Megjithë hetimet intensive Klement Çala një person me rrezikshmëri të lartë vazhdon të jetë në kërkim së bashku me të vëllain.

Dëshmitari që u tradhtua nga gjurmët papilare ka folur edhe për shokët, ndërsa për të kanë nisur procedurat për t’i dhënë statusin e dëshmitarit, por që sidoqoftë edhe ndaj tij janë ngritur katër akuza që nga grupi kriminal deri tek vrasja e policëve e në tentativë.

Top Channel