Libri “Krimet e Komunizmit”, shkruar nga Çelo Hoxha, ku bëhen përgjegjës drejtuesit e fomacioneve partizane për krimet e luftës, ka nxjerrë sërish në skenë ndarjen e “thellë” për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në librin që përkon me periudhën 1941-1945 janë publikuar 265 emra, të cilët, sipas autorit të librit, janë përgjegjës për “krimet e luftës” së asaj kohe.

Ky libër është botuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, i drejtuar nga Agron Tufa, e që si nënkryetar ka Çelo Hoxhën, autorin e librit.

Kjo “listë e zezë” dhe periudhën që ka përfshirë ka ngjallur zemërimin e deputetit Spartak Braho.

Në mbledhjen e datës 2 prill, në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku në shqyrtim ishte projektrezoluta për veprimatarinë e ISKK-së për vitin 2018, deputeti socialist ka kërkuar shkarkimin e Agron Tufës. Braho ka akuzuar Tufën për mënyrën e drejtimin të institucionit, botimet e së cilës sipas tij janë “të paligjshme” dhe vetë Insituti është kthyer në “seksion të Ballit Kombëtar”.

Tufa, sipas Brahos po “nxin” historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimitare dhe heronjtë e saj.

Qëndrimi kritik i Spartak Brahos nuk reflektoi në rezoluten e Kuvendit për Institutin. Në draftin e miratuar në Komision vlerësohet puna e tij për vitin 2018.

Por vet Tufa nuk e ka lënë me kaq replikën e Spartak Brahos. Ai e ka akuzuar atë se ka dënuar politikisht gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës njerëz të pafajshëm, duke i mbyllur në çmendinë.

Në një postim në rrjetin e tij Facebook, Tufa ka shkuar edhe më tej, duke publikuar një dokument që tregon dënimin kapital të dhënë nga Spartak Braho gjatë periudhës komuniste. Braho ka vijuar replikën, duke e akuzuar atë dhe Gazment Kapllanin si vrasës me pagesë.

Pas ditësh të tëra akuzash dhe kundërakuzash me tone të forta, drejtori i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa ka hedhur në gjyq Brahon, që e konsideron si “çanta e zezë” me akuzën “krime kundër njerëzimit”.

I gjithë ky debat ka rikthyer sërish ndarjen mes historianëve, studiuesve dhe politikanëve për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

75 vite pas çlirimit të vendit, a ishin partizanët çlirimtarë apo kriminelë?

Top Channel