Sri Lanka në zi. Mbahen ceremonitë e para mortore

23/04/2019 14:39

Në Sri Lanka është mbajtur një ceremoni mortore masive ndërkohë që vendi shënon një ditë zie për viktimat e sulmeve të së dielës.

Bilanci i viktimave të sulmeve në kisha dhe hotele ka shkuar në 310, ndërsa rreth 500 janë të plagosurit. Në të gjithë vendin janë mbajtur tre minuta heshtje dhe gjendja e jashtëzakonshme është shpallur me qëllim që të parandalohen sulme të tjera. Qeveria e Sri Lankës ka fajësuar për shpërthimet një grup islamik lokal dhe policia thotë se ka arrestuar 40 vetë në lidhje me sulmin. Një zëdhënës tha se mes të arrestuarve ishte edhe një sirian.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, hetimet paraprake tregonin se shpërthimet ishin një hakmarrje për sulmet në Krajstçërç në Zelandën e Re, në mars, por nuk dha më shumë detaje.

Gjendja e jashtëzakonshme i jep policisë dhe ushtrisë fuqi shtesë për të arrestuar dhe marrë në pyetje të dyshuar pa urdhra gjykate. Qeveria ka kufizuar përdorimin e Facebook, Whatsapp dhe Instagram pas shpërthimeve. Sulmet kanë vendosur në qendër të kritikave edhe lidershipin e vendit pas raporteve se autoritetet ishin paralajmëruar për rrezikun e mundshëm.

Top Channel