Aeroplanmbajtësja ruse "Kuznetsov", në portin sirian të Tartusit.

Rusia do të marrë portin sirian të Tartusit, e marrëveshjen me presidentin Bashar al-Assad, Moska shpreson ta vulosë brenda një jave.

Dy vendet aleate kërkojnë zgjerimin e bashkëpunimit të tyre, e pjesë e këtyre përpjekjeve është bërë së fundi, sipas informacioneve në mediet ruse e siriane, edhe mundësia e marrjes me qira të portit të rëndësishëm sirian.

“Për rusët – thotë “Deutsche Welle”, – Tartusi nuk është terren i panjohur. Në këtë qytet portual ata kanë ndërtuar një bazë detare. Për flotën e tyre luftarake, Tartusi përbën të vetmen dalje në Detin Mesdhe”.

Bashkëpunimi mes dy palëve e ka marrë tashmë “dritën jeshile” të Parlamentit rus. Një marrëveshje e ratifikuar në vitin 2017 i hapi rrugën pranisë së përhershme ushtarake ruse, në bazat detare dhe ajrore të Sirisë.

Pjesë e paktit ishte edhe zgjerimi e modernizimi i porteve për flotën ruse. Ndërhyrja e Rusisë në vitin 2015 ishte ajo që ktheu faqen e konfliktit të dhunshëm në Siri. Deri në ato momente, rebelët që luftonin kundër regjimit të Assadit kishin avancuar ndjeshëm, e Assadi po shikonte t’i lëkundej fort pushteti.

Situata e forcave të tij në terren po bëhej gjithmonë e më e dëshpëruar, sidomos pas humbjeve të thella territoriale në verilindje të vendit, shumë pranë fortesës detare të regjimit, Latakia. Ishte pikërisht ai moment, kur Assadi dha alarmin dhe Rusia e Irani iu përgjigjën, duke ndryshuar rrjedhën e luftës. Lideri sirian, pas kësaj arriti të rivërë nën kontroll pjesë të gjera të vendit të tij.

Top Channel