Qeveria e Kosovës është një prej qeverive më të mëdha në Evropë pasi përbëhet nga gjithsej 21 ministra, 5 zëvendëskryeministra si dhe rreth 80 zëvendësministra.

Por, numri i ministrave dhe zëvendësve të tyre pritet të ulet në rast se qeveria e tanishme arrin të finalizojë Ligjin për Qeverinë, i cili është në fazën e parë të hartimit. Organizatat e shoqërisë civile që janë të përfshira në procesin e hartimit të këtij ligji kanë rekomanduar që qeveria të këtë më së shumti 14 ministri.

Po ashtu, ligji parashikon të rregullojë edhe përfaqësimin e grave në qeveri, ku 30% e ministrive do të udhëhiqen nga gratë. Aktualisht, Qeveria e Kosovës ka vetëm një ministre femër.

Përveç numrit të madh të zëvendësministrave, qeveria aktuale ka po ashtu numër të lartë të këshilltarëve politikë. Vetëm kryeministri Ramush Haradinaj ka 15 këshilltarë politikë që paguhen nga paratë e taksapaguesve kosovarë. Ekspertët kërkojnë kufizimin dhe përcaktimin me ligj të numrit të zëvendëskryeministrave dhe këshilltarëve të ministrive, çka, sipas tyre, do të lehtësonte edhe procesin e llogaridhënies.

Sidoqoftë, ligji, para se të hyjë në fuqi ka ende shumë rrugë për të bërë. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj është kritikuar vazhdimisht për vendimin për rritjen e pagave për zyrtarët e lartë si dhe për numrin e madh të zëvendësministrave dhe koston që ata kanë për buxhetin e Kosovës, mirëpo, përkundër kësaj, qeveria vazhdon të ketë rreth 80 zëvendësministra.

Top Channel