“Ky është një produkt bio shqiptar. Bindja Demokratike është një produkt bio i disa shqiptarëve të lirë”.

Ky është përkufizimi i Astrit Patozit se çfarë është partia Bindja Demokratike e cila u regjistrua në Gjykatën e Tiranës dhe në KQZ. Kjo forcë e re politike ka si prioritete zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes ndryshimit të sistemit zgjedhor, betejë kundër korrupsionit politik dhe atij shtetëror dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Nga studio e emisionit Top Talk në Top Channel, Astrit Patozi tregon se pse kjo parti u quajt Bindja Demokratrike: “Ne mendojmë që bindja demokratike që ekziston te vendet e Evropës Perëndimore është ajo që mban në këmbë politikën në shërbim të interesit publik, që mban në këmbë institucionet e shëndosha. Kjo shoqëri ka nevojë që të krijojë një bindje demokratike”.

Si lindi dhe kush e përkrah këtë forcë politike?

“Është ëndrra e një grupi shumë të madh njerëzish, nuk është projekt personal, të cilët kanë lexuar siç duhet urinë e publikut shqiptar për të pasur një gjë të re”, u përgjigj Patozi.

Për të gjithë ata që kanë nisur sulmet ndaj Bindjes Demokratike dhe Lulzim Bashën, Astrit Patozi thotë: “Opozita nuk është pronë. Në rast se dikush mendon që ka monopolin e opozitës dhe është ai që vendos nëse tjetri është apo nuk është në opozitë, e ka gabim. Opozita është një status që ta japin zgjedhjet dhe në rast se nuk ke këllqe dhe thua që unë do të vras veten sepse vetëm vetëvrasja ime e rrëzon qeverinë, për mua është një braktisje e përgjegjësive”.

Astrit Patozi tregoi se Bindja Demokratike do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale: “Për ne ka më shumë rëndësi cilësia e zgjedhjeve sesa rezultati. Ne nuk mund të pretendojmë sot për të fituar dhe për të mundur qeverinë”.

Top Channel