Astrit Patozi zyrtarizon Bindjen Demokratike duke e regjistruar në Gjykatën e Tiranës dhe në KQZ nga ku kanë dorëzuar edhe 1000 firma më shumë nga 3000 që kërkohen.

Tre janë prioritetet e Bindjes Demokratike: zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes ndryshimit të sistemit zgjedhor; betejë kundër korrupsionit politik dhe atij shtetëror pasi vendi nuk mund të ketë kurrë barazi sociale; dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Për herë të pare, paraditen e të martës është zbuluar edhe logoja e kësaj force politike me ngjashmëri në ngjyrë me atë të PD dhe përafërsi grafikisht. Në komunikatën e parë për mediat, Bindja Demokratike thotë se “nismëtarët vendosën të mandatojnë një bord të përkohshëm, i cili do të përfaqësojë partinë deri në ngritjen dhe zgjedhjen e forumeve drejtuese të saj, sipas statutit”.

Anëtarë të këtij bordi do të jenë: Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, ndërsa koordinator i tij Astrit Patozi. Vetë Astrit Patozi, ish-numri dy i PD, përmes një komenti të gjatë në Facebook, ka dhënë detaje përse vjen Bindja Demokratike.

“Bindja Demokratike është dhe do të jetë një ofertë serioze dhe tërësisht e pavarur, sa herë që të ketë zgjedhje në Shqipëri. Bindja Demokratike është frymë dhe alternativë e re, në një shoqëri, ku monopoli partitokratik po vret konkurrencën dhe ka kufizuar lirinë e zgjedhjes për qytetarët. Ne jemi të bindur se Shqipëria sot po vuan pasojat e një polarizimi politik, që e ka zanafillën tek vrasja e demokracisë brenda dy partive të mëdha dhe tek konsolidimi i një sistemi mbytës, që garanton palët rivale për mosndëshkueshmëri dhe mbijetesë politike, kundër çdo projekti të ri”, u shpreh Patozi.

Ndryshimi i sistemit dhe çlirimi i zgjedhjeve është kauza jonë, thotë Astrit Patozi: “Sistemi ynë politik bazohet tek garancia që dy rivalët kryesorë në vend i kanë dhënë njëri tjetrit, për të nënshtruar çdo ide apo frymë demokratike brenda kampeve të tyre. Ne mendojmë se fuqia e pakontrolluar e pushtetit të Edi Ramës, buron edhe nga pafuqia e opozitës zyrtare, sidomos nga pranimi prej saj i modelit të qeverisjes së partisë dhe më pas qeverisë. Opozita zyrtare e shikon pushtetin e Edi Ramës si model që mund ta shfrytëzojë për vete, kur t’i jepet rasti”.

Top Channel